Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

VENDIMI PËR FAMILJEN “NON GRATA” JO POLITIK

escobar-eskobar

Nga Arber DALMATI –

“Departamenti i Shtetit e cilësoi Sali Berishën dhe familjen e tij si ‘non-grata’ për SHBA-në dhe ky ishte rasti i katërt pas ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, ish kryebashkiakut Vangjush Dako dhe ish deputetit Tom Doshi. Shumë njerëz pyesin pse kaq shumë shqiptarë në këtë listë të zezë?  Duke përjashtuar rastin e veriut të Kosovës dhe Serbisë në dy ditët e fundit, nuk e kemi parë të ndodhë kaq shumë në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të mendojë, a jemi ne shqiptarët më të këqijtë e djemve të këqinj?” Ka qenë një ndër pyetjet që moderatori i emisionit “Real Story”, Sokol Balla ia adresoi zvendësnensekretarit të shtetit Gabrial Eskobar, gjatë intervistës ekskluzive.

” Jo! Në fakt, do të shihni më shumë! Por në fakt, kjo është pyetja që marrim nga shumë njerëz. Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët. Por e vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik”, ka qenë përgjigja e z.Eskobar.

“Dakord, por shumë njerëz do të thoshin se në rastin e Berishës, ka qenë larg pushtetit për shumë vjet, 8 vjet tani, dhe ka njerëz të tjerë që janë në pushtet dhe Shqipëria ishte dhe vazhdon të tjetë një vend ku korrupsioni është i lartë, ose të paktën perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë dhe shumë thonë, pse shkoni dënoni Berishën dhe nuk shpallni të tjerë që janë ende në pushtet?”, ka vijuar Balla, ndërsa z. Eskobar ka vijuar të shtjellë fillin e vërtetës për shpalljen e berishajve “non grata”, me përgjigjet e mëposhtme:

“Sepse nuk është një vendim politik. Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.”

Pra po sugjeroni që kur ishte fjala për shpalljen e Berishës dhe familjes së tij, puna ndodhi edhe nën administratën Trump? Ka qenë pyetja e rradhës e Ballës e ndjekur nga përgjigja e prerë e z. Escobar : “Po”.  Dhe më tej nga mohimi kategoriok i tij që kjo “non grata” të jetë skemë e George Sorosit dhe miqve të tij, përfshi Edi Ramën dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim, sikurse pretendojnë berishistët “Absolutisht nuk është rast. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme. Sepse nuk dua që njerëzit t’i shohin këto mendime dhe këto shpallje si mjet politik. Këto janë përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë. Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendim-marrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të”. / Arberian News.net

Related Posts

Leave a comment