Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dimri rus i Putinit do ndihet edhe në Tiranë

Putini, dimri rus ne ukraine

Në fund të prillit pritet të mbërrijë në Zagreb zyrtari i lartë amerikan, i Dërguar Special nga Shtëpia e Bardhë, për të funksionalizuar aktin e presidentit Biden për luftën ndaj korrupsionit në Ballkan. Bashkë me Putinin, njëri pas tjetrit, do të bien edhe këta tanët…

Nga Sebastian ZONJA –

Një fakt interesant vjen nga lufta në Ukrainë. Këtë radhë duket se ka të bëjë me parapërgatitjen e terrenit për ndërhyrje ushtarake teksa forcat ruse qëndronin prej javësh në kufirin ukrainas.

Andrei Soldatov, gazetar investigativ dhe ekspert për shërbimet ruse të sigurisë, shkruan se krerët e shërbimit të 5-të të FSB-së (Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse), që është përgjegjës për inteligjencën e huaj dhe i specializuar për Ukrainën, janë vënë nën arrest shtëpie.

Soldatov shkruan se nën arrest është vendosur kreu i departamentit Sergey Beseda dhe zëvendësi i tij Anatoli Bolyukh. Sipas tij, vlen të theksohet se lajmi nuk është i konfirmuar në mënyrë zyrtare nga institucionet ruse, ndër arsyet e arrestimit janë përvetësimi i fondeve të akorduara për punën subversive dhe agjenturore në Ukrainë, si dhe dhënia e informacionit të rremë për situatën politike në Ukrainë.

Për shkak të korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet në Rusi, akuza për përvetësim fondesh ngjan se është formalitet sa për të plotësuar aktakuzën, por ajo që ngre pikëpyetje është akuza për “dhënie e informacionit të rremë për situatën politike në Ukrainë”.

Nëse rasti është i vërtetë dhe do të konfirmohet në ditët në vijim, mund të deduktojmë me logjikë këto tre përfundime:

1. Amerikanët me anë të CIA-s kanë arritur që të infiltrohen deri në nivelet më të larta të agjencive sekrete ruse duke blerë informacione të dorës së parë për aksionet parapërgatitore ruse në Ukrainë.

2. Në rast se amerikanët nuk kanë arritur që të infiltrohen në nivelet më të larta të agjencive sekrete ruse, atëherë ata kanë dhënë qëllimisht informacione të rreme te agjentët rusë në terren për të shkuar raporte të rreme në Kremlin, të cilët nuk paraqisnin gjendjen reale në terren në Ukrainë.

3. Në rrethin e ngushtë të Putinit ka persona që janë kundër luftës dhe afrimit me Kinën, duke parë se Rusia ka qenë prej shekujsh fuqi evropiane. Sot oligarkët dhe nëpunësit rusë fëmijët i shkollojnë në Perëndim dhe lukset e qejfet i bëjnë në Perëndim.

Në një intervistë të tijën pasi kishte dezertuar në Rusi, Kim Philby, agjenti i famshëm i dyfishtë britaniko-sovjetik, do të thoshte një fakt interesat– agjenturat janë si tregjet financiare: kush ka më shumë para, blen informacione të dorës së parë.

CIA është një ndër agjencitë me fonde shumë të mëdha. Po t’i rreshtosh njëra pas tjetrës agjencitë që janë vënë kundër Rusisë sot – amerikane, britanike, gjermane, franceze, italiane, japoneze.., kupton pse kryeministri britanik Boris Johnson shprehet i bindur kur thotë se kjo luftë do të përfundojë me Putinin si kriminel lufte.

Putini ngjan se është futur në një qerthull në Ukrainë, prej të cilit zor se mund të dal me kurora dafinash. Ata hynë në Ukrainë me mjete dhe armatim të lehtë, thua se ishin duke bërë një ekskursion. Mund të jetë edhe ky një hamendësim, se agjencitë amerikane kanë trilluar info për agjentët rusë në terren dhe në raporte ata kanë shkruar se mjaft të ndërhyjmë, se do të na presin me lule dhe s’ka për të pasur asnjë rezistencë në terren nga qytetarët dhe ushtria.

Ndërkohë, armatosja e mëtejshme e Ukrainës nga vendet aleate të NATO-s do të sjellë detyrimisht përshkallëzimin e luftës. Rezistenca do të bëhet më e fortë ndërsa rusët do të detyrohen të ndërhyjnë me armatim më të rëndë.

Nëse ata nuk ndërhyjnë me armatim më të rëndë, do të thotë se jetët e ushtarëve të humbur në terren do të shumëfishohen. Kjo do të sjellë revolta në Rusi.

Nëse ata ndërhyjnë me armatim të rëndë, bota do të shohë tmerre me sy, dhe Rusia rrezikon që të humb mbështetjen e Kinës dhe Indisë. Pak a shumë, Putini është në një situatë tejet komplekse në këto moment.

Nga sa mund të vërejmë, shefi i Kremlinit s’i ka bërë mirë llogaritë me ndërhyrjen në Ukrainë. Shërbimet sekrete që parapërgatisin terrenin gjithnjë për revolta dhe kryengritje kanë qenë në krye të punës për të “helmuar” sondazhet që ka kryer Shërbimi Sekret Rus se do ta kishte të lehtë rrugën për në Kiev.

Me këtë arrestim apo skena të ngjashme ku Putini s’i përfill vartësit e tij, krisja ka ndodhur, por duhet pak kohë që ajo të reflektohet edhe në Kremlin.

Sa i përket aleancës ku ndodhet edhe Shqipëria, Amerika arriti që të krijonte një front të gjerë kundër Putinit. Në deklaratat e tyre, aktorët më të lartë politik ndërkombëtarë kanë bërë një dallim esencial – kjo është lufta e Putinit. Do të thotë se Perëndimi do të shpërfaq me rezolucion të plotë, me ngjyra të gjalla, se çfarë është një rend autokratik, një lider autokrat si Putini.

Është një fitore e madhe e demokracisë që të mundet teza e hedhur nga rusët se autokracitë janë më eficente se demokracitë.

Thyerja e Putinit është fitore e madhe, sepse rrëzohen si gurë dominosh këta autokratët tanë në Ballkan.

Në fund të prillit pritet të mbërrijë në Zagreb zyrtari i lartë amerikan, i Dërguar Special nga Shtëpia e Bardhë, për të funksionalizuar aktin e presidentit Biden për luftën ndaj korrupsionit në Ballkan. Bashkë me Putinin, njëri pas tjetrit, do të bien edhe këta tanët.

Related Posts

Leave a comment