Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kyçen 5 milionë euro pasuri të Fatjon Muratit/ I arrestuar, i dyshuar si person që ka dijeni për masakrën e Fushë-Krujës

auto_661665822451

Kjo pamje që shoqëron të dhënat për Fatjon Muratin, i arrestuar pak ditë më parë në makinë të blinduar me familjen e Endrit Dokles, është shkrepur 6 vite më parë në Itali.

Ishte një megaoperacion, sipas Policisë dhe mediave vendase, ku u kërkua ndërhyrja e qindra forcave policore për të goditur një grup të trafikut të drogës dhe të grabitjes së banesave në zonën e Venecias. Në pranga ranë 15 persona, mes tyre tre të huaj e 12 shqiptarë, po ashtu edhe dy femra, njëra shqiptare dhe tjetra hungareze.

Mirëpo, i riu nga Kukësi mundi t’i shmangej drejtësisë së vendit fqinj, ndërkohë që disa prej tyre dolën para Gjykatës.

Të tjerë fituan pafajësi pasi përfundimit të hetimeve, ndërsa emri i Fatjon Muratit nuk do të lakohej më deri para pak javësh, kohë kur një shkresë e klasifikuar e rendiste të parin ndër 6 persona që duhej të pyetej për masakrën e Fushë-Krujës ku u vranë djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilanti, dhe dy shokët e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Përpos domosdoshmërisë së marrjes së dëshmisë, tashmë 32-vjeçari kuksian nuk duhej të dilte jashtë kufijve. Burimet policore bënë me dije se rreth një muaj më parë, Murati u pyet në Prokurorinë e Krujës dhe që prej asaj dite, sipas Policisë ai është mbajtur nën vëzhgim, deri momentin kur u ndërhy për ta arrestuar në Yzberisht në një makinë të blinduar, në timonin e së cilës gjendej një tjetër emër që ishte listuar për t’u pyetur për masakrën me tre të vrarë.

Të dhëna konfidenciale, bëjnë me dije, se përveç mjetit më të cilin udhëtonin Fatjon Murati, Gentjan Reçi dhe Endrit Dokle, me familjen e vogël të tij, ishte edhe një mjet tjetër, mjet që është zhdukur menjëherë nga sytë e policisë dhe deri më tani Policia e Tiranës nuk e di se kush ka qenë në atë makinë, edhe pse bulevardi është i mbushur me kamera.

Po ndërsa Murati u mbajt në pranga dhe Dokle bashkë me kunatin e tij u lanë të lirë, prokurori i çështjes i ka kërkuar Gjykatës t’i sekuestrohet pasuria, që gjendet në emrin e tij, të nënës dhe vëllait të tij, si dhe të njërit nga personat e arrestuar 6 vite më parë në Venecia në operacionin e madh kundër grupit kriminal të shqiptarëve.

SEKUESTRIMI SIPAS PROKURORISË

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e pasurisë së Fatjon Muratit, i arrestuar pak ditë më parë nën shoqërinë e Endrit Dokles.

Prokuroria pretendon se Fatjon Murati dhe të afërmit e tij i kanë ngritur këto pasuri përmes të ardhurave nga aktivitetet kriminale, kryesisht të trafikimit të lëndëve narkotike. Të sekuestruara janë tashmë pasuritë e paluajtshme:

Një sipërfaqe ndërtimi 120 m2, një dyqan 40 m2 në rrugën “Lord Bajron”, një apartament 90.30 m2 dhe një pallat 8-katësh me sipërfaqe 317m2. Po ashtu, nën sekuestro janë edhe pikë pakice e tregtimit të artikujve të imët ushqimor, një bar kafe dhe një lavazh makinash.

Vlera e këtyre 7 pasurive është 5 milionë euro, të cilat janë në emër të Fatjon Muratit, nënës dhe vëllait të tij. Procedimi penal për sekuestrimin e këtyre pasurive u referua nga Policia që në 7 shkurt të vitit 2018 për veprën penale “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Një muaj e gjysmë më vonë, u referuan në Prokurori edhe materiale të tjera, edhe për personat e tjerë pjesë e organizatës kriminale të Fatjon Muratit, ku një pjesë e anëtarëve të saj janë arrestuar nga Policia italiane, ndërsa të tjerë janë në kërkim.

Kjo organizatë është marrë fillimisht me grabitje dhe më pas e ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas Prokurorisë, Fatjon Murati rezultoi të ishte në kërkim kombëtar në 31 tetor 2015 për evazion nga masa alternative në burg, nëpërmjet masës së vendosur nga Gjykata e Trevizos. Kjo e fundit, në 7 nëntor 2015, urdhëroi arrestimin e tij për veprën penale të “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”. Në prill 2016, Gjykata e Venecias urdhëroi arrestimin e tij për “Pjesëmarrjes në krime” dhe në korrik 2017, autoritetet gjyqësore të Padovas e raportuan për veprën penale të “Trafikimit të kokainës”.

GRUPI KRIMINAL SIPAS PROKURORISË

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se:

“Më datë 21.03.2018 nga ana e Seksionit Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë referuar materialet e para hetimore për shtetasit F. M., Q.A., N.V., K.P., dhe V.K., si pjesë e një organizate kriminale, ku një pjesë e anëtarëve të saj janë arrestuar nga Policia italiane, ndërsa të tjerë janë në kërkim.

Kjo organizatë është marrë fillimisht me vjedhje dhe më pas e ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Shtetasi F.M. (bëhet fjalë për Fatjon Muratin) rezulton i kërkuar në nivel kombëtar për: Më datë 31.10.2015 për evazion nga masa alternative në burg, nëpërmjet masës së vendosur nga Gjykatësi për Hetimet Paraprake të Gjykatës së Trevizos;

Më datë 07.11.2015, Gjykata e Trevizos ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin në burg për veprën penale të “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”;

Më datë 26.04.2016, Gjykata e Venecias ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin në burg për veprën penale të “Pjesëmarrjes në krime”; dhe më datë 26.07.2017 në përfundim të aktivitetit të quajtur “Cosmopolis” në kuadër të procedimit penal pranë autoriteteve gjyqësore të Padovas, është raportuar për veprën penale të “Trafikimit të kokainës”. Shtetasi Q. A. rezulton momentalisht i kërkuar në nivel kombëtar.

PO KUSH JANË PERSONAZHET E KËTIJ GRUPI KRIMINAL?

Sipas të dhënave që vijnë nga mediat dhe Policia italiane, të cilat kanë folur gjatë për atë operacion të madh kombëtar, mësohet se përveç Fatjon Muratit, asokohe pjesë e akuzës italiane dhe më vonë shqiptare janë konkretisht: Qerim Azuni, Nik Vokrri, Klaudo Paluka dhe Vladimir Kolaj.

Këta persona janë bërë pjesë e hetimit për pastrim parash edhe në vendin tonë, ndërkohë që këtu nuk ka asnjë precedent penal të njohur të tyre përveç një akuzë për posedim armësh për kuksianin Murati, emri i të cilit doli pas arrestimit të dy të rinjve, një vajze dhe një djali në fillimin e korrikut të këtij viti.

Ata u mbajtën në pranga pasi në banesat respektive me qira kishin armë të kalibrave të lartë dhe mjete policore. Operacioni për kapjen e tyre në fakt u bë në vazhdën e një mori bazash armatimi, të cilat u zbuluan nga dëshmia e një të penduari, që rezultonte vrasës me pagesë për një grup të fuqishëm kriminal në Tiranë.

Tashmë, Fatjon Murati, i cili ka dalë para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë është lënë në burg, po ashtu prokurori i çështjes ka kërkuar edhe sekuestrimin e pasurive që shkojnë në vlerën e 5 milionë eurove.

Related Posts

Leave a comment