Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Albin Kurti: Beogradi po bëhet vegël e Kremlinit, nisi përgatitjet për destabilizimin e Kosovës

albin-kurti-qeveri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas zhvillimeve të fundit në Veri, ka shkruar në Facebook duke qartësuar se nuk do të zmbrapset nga vendimi për qortimet e atyre që bartin targa ilegale, derisa largimin e serbëve nga institucionet e ka konsideruar instrumentalizim nga Beogradi zyrtar.

“Deri më sot, numri i qortimeve të dhëna është gjithsej 843. Nuk ka pasur asnjë incident dhe nuk është regjistruar asnjë ankesë. Kështu do të vazhdojmë për tri javë, pra deri më 21 nëntor, atëherë kur fillojnë gjobat ashtu siç parashihet me ligj”, shkroi Kurti në Facebook.

“Ndërkohë, qytetarët me tabela ilegale KM, PR etj. do të mund t’i konvertojnë ato në legale RKS me lehtësime të mëdha tatimore”.“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje”.

Sa për largimin e Listës Serbe nga institucionet Kurti shkruan se “është e qartë se për çfarë bëhet fjalë”.

“Presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviç-it, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviç-it, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkruan Kurti.

Kurti ka kujtuar se “me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës”.

“Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviç-in dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën”.

Më pas, Kurti ka siguruar qytetarët serbë të Kosovës se “unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës”.

“Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”.

Ai u ka bërë thirrje që të “mos i bojkotojnë ose braktisin institucionet e Kosovës”.

“Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”.

Related Posts

Leave a comment