Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

ARISTOKRATI I AKTRIMIT AGIM QIRJAQI

327575690_904529130987965_8975704016590484340_n

Miho Gjini

Një mbrëmje ceremoniale, të ftuar nga ish Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, në njerin prej lokaleve lluksoze buzë Egjeut, në”Gavuri” të Athinës, tek Ai pinte Xhin përbri Xhoanës e Ambasadorit Bashkim Zeneli, më pyeti “me se meresha këtu?”,”Kam afro 10 vite që punoj natën si punëtor krahu”,-përgjigjem unë. Dhe , pasi bëri humorin e rradhës ,me anë të një batute, Ai u bë përsëri serioz dhe tha se mund të kthehesha,si “Drejtor i Teatrit Kombëtar, në vëndin e Agim Qirjaqit, që sapo ka dhënë dorëheqjen!”,-tha ai menjëherë dhe priti përgjigjem time. Nuk fola e nuk mundesha të flisja, jo vetëm që ishte diçka befasuese për mua, po nuk qe as “vëndi e as kuvëndi” për të marrë vendime të tilla e të shpejta, kur e gjithë jeta ime qe e “përmbysur” dhe ajo e Agim Qirjaqit ishte në shkëlqimin e vet. Ndërkohë që, në shtypin Shqiptar që vinte deri këtu, pata lexuar disa shkrime të profesorit tim Mihal Luarasi, për njëfarë “amullie” në Teatrin Kombutar, kur ai qe ndarë në “dyTeatro Kobëtare!”, se aty nuk po bëhej një politikë e qartë e egzistencës së tij për krijimin e një fizionomie me të vërtetë kombëtare, si “një barë tepër e rëndë mbi supe,-shkruante Luarasi: Të ndreqte të këqiat e shumta që ishin grumbulluar…”, duke përmëndur këtu edhe përpjekjet e Agim Qirjaqit…
Vetëm se, më bëri që të bie ndër mendime të trishta. Se qe e vërtetë që, kishte më shumë se 10 vite që rropatesha në një punë krahu, për të siguruar një pension pleqërie, pas një kalvari vuajtjesh në vëndin tim, nga që Udhëheqësit të dikurshëm nuk i pëlqeu një “festival teatri” (ku pata “gisht” dhe unë, i ziu”) e tek ajo pa edhe “njollat e murme revizioniste”(!), porse ia kisha parë edhe “hajrin drejtorllëkut”! Si në Elbasan, kur sapo më vunë si drejtor e regjisor të sapo dalur nga Akademia e Arteve, në Teatrin “Skampa” dhe aty më vunë “stërrkëmbthin” sa vajta, duke ma “hequr nga duart” pjesën që kisha zgjedhur për mbrojtjen e diplomës së regjisorit, një “tufë partiakësh”, me pretekstin se “në gjithçka vendoste PARTIA” dhe se, “isha tepër i ri, një çunak, i sapo dalur nga bangat e shkollës!”. Po me Agim Qirjaqin ç’patën(?!), kur ai, ndodhej tashmë në një tjetër kohë dhe, nuk qe vetëm me prejardhje të mirë biografike, porse pat shkëlqyer si aktor që në bangat e shkollës, mandej edhe me tre specializime të mëtejshme, në Shqipëri e Itali (me privilegje si askush tjetër!), duke ndritur edhe si regjisor e pedagog në skenë e në ekran, me stazhin e duhur, mandej edhe i aftë në komedi, në dramë e në tragjedi, po edhe si njeri korrekt, me bagazhin më të pasur të ideologjisë e dijes, kulturës e etikës…?! Por, sa herë që nuk ka ligje për teatrin dhe atij “i bien në qafë” politikbërësit, s’ka si të mos ndodhte edhe kështu, për të “hequr dorë” njeriu, nga talenti, posti dhe ëndërrimet!…Të merrë dreqi dhe vajte…
E njihja nga afër Agim Qirjaqin. Jo vetëm gjatë viteve 70 të shekullit të kaluar, kur unë jepia mësime në Institutin e Arteve dhe ai shoqërohej me studentët e mi pe Korçe: Llazi Serbon e Minella Borovën, por edhe më vonë, tek ai qe afruar aq shumë edhe me mikun tim më të afërt, prozatorin e dramaturgun Naun Prifti, që të dy kolonjarë, pra edhe me mua , me atë “buon –sensin” e tij të shkëlqyer, me sjelljen prej aristokrati, me atë buzëqeshje të hollë e përherë të përzemërt. Po ky artist i përkor ishte imponuar edhe në publikun e gjërë që në shfaqjet e para të tij, si tek “Ylli pa emër”,-një komedi e rumunit Sebastjan që e vuri në skenë me studentët regjisori Mario Ashiku dhe ai ishte kaq i vërtetë aty, si intelektual province, sa të habiste! . Dhe që më pas , do të “zaptonte” tërësisht një personazh kryesor Shekspirian si Sir Andre Agneiherekun,në komedinë “Nata e dymbëdhjetë”, mandejë tek drama “Monserati” i Rables, për të vajtur edhe në “truallin” e një tragjedie tronditëse si “Rikardi III”-të i Shekspirit, për të qënë, po kaq i denjë, si në komedi, në dramë, edhe në tragjedi… Pra, një aktor i kompletuar, që do ta lakmonin së tepërmi edhe regjisorët e filmit , sikundër Anagnosti , tek “Lulëkuqet mbi mure”, me personazhn e drejtorit fashist, po edhe Viktor Gjika me filmin “Rrugë të bardha”, me një personazh anësor, që ai e “qëndisi” mjeshtërisht…
Përse duhej vendosur si zyrtar, qoftë dhe Drejtor, një nga aktorët më të mirë të skenës e të ekranit, sikundër u veprua nga qeveritarët e rinjë që do të vinin më pas, për Agim Qirjaqin, në vitin 2002,-detyrë që ai nuk e mbajti dot “mbi kuriz” më tepër se një vit dhe e la ?! Vallë, nuk e ndjenin, apo nuk e shihmin , se atë mezi e prisnin në skenat e teatrove, si edhe në ekranet e mëdha të kinemave dhe në ato “të vogëlat”e shtëpive, sa herë që binte mbrëmja? Zyrat nuk janë për artistët, shpirti i të cilëve “bredh e shpërndahet, në eterin e kohrave”, si edhe në shpirtin e personazheve të ëndërruar?! A nuk mund të gjëndej përsëri një Andon Pano, një Kolë Jakova a një Xhemal Broja, qoftë dhe të përafërt me ta, pra njerërz me kulturë, njohës të teatrit e të dramaturgjisë , po edhe persona të mënçur, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, jashtë interesave partiake ,të ngushta e stereoetipe? Kam ndjekur me vëmëndje “kandidaturat” e vetshpallura (për këtë post, jo pak të lakmuar!), po ajo e Filozofit Përpaari Kabo,për të qënë në krye të këtij TEATRI, Mihal Luarasi , më është dukur më e goditura! Thuajse u ngjirë së foluri “burri i dheut!” e askush nuk e dëgjoi!Apo , të mbetemi, duke vënë në krye të këtij institucioni kombëtar, ndonjë aktor të pa aftë, që mund të “ketë patur hajër” në ndonje rol filmi a teatri e që, aty, në skenë a në filma,-si ta thuash,- i ka mbetur “gjërpëra e gramafonit”?…Kur, -gjatë atyre 22 viteve të mia në këtë shkollë të lartë, si student e si pedagog, qenë tepër të rrallë ata që interpretonin role kryesore dhe që nuk lexonin kurfarë literature profesionale, duke kujtuar se u bënë “artista”, duke lozur në skenë një personazh e pastaj, duke “lozur edhe me jetën”?!…E duke tundur e shkundur çantën e shkollës, jo pak herë edhe fare pa çantë, që vinin e iknin dhe “vrisnin kohën e tyre”?! Si ai drejtori i po këtij “Teatrit Qëndror”, që i vajta unë, per t’iu lutur të bënte një promovim të monografive të mia, për dy prej themeluesve të këtij teatri, të Mihal Popit e të Naim Frashërit, si edhe të librit “Jetë Artistësh”,me 10 portretet e aktorëve më të shquar të tij (pa më thënë e pa më paguar askush!?) dhe që, për fat të keq, të më falni për shprehjen, nuk “pordhi fare”, sikundër e thotë edhe populli ynë, për këta lloj tipash-“Kallëp sapuni” që i kishte vendosur partia në pushtet, në karriken e “DREJTORIT”?… U tmerrova! Se nuk më tha asnjë “fjalë Falenderuse” që kisha ngjitur shkallët e drunjta të asaj binaje të vjetër, që mezi mbahej, tok me kolltukun e një drejtori, që nuk e luajti “bythën” nga vëndi!!!).E mornica do më shkojnë edhe tani, tek e kujtoj atë çast kohe, kur ish Kryeministri,-më bëri ofertën e tij,- që nuk do ta pranoja kursesi, tek ja kisha parë mirë “hajrin” asaj pune, ca më tepër akoma, në atë kohë të tmerrshme, kur kryeja funksionet e Kryeinspektorit të Teatrove e të Estradave të Republikës, në dikasterin përkatës, për 12 vite me rradhe e në vitin e 13-të e pashë veten brënda hekurave të një burgu!?
Po le të kthehemi rishtazi tek i ndjeri Agim Qirjaqi, artistii, regjisori e njeriu më i përkryer që e kam njohur dhe që, ndofta,- e meritonte më i pari titullin e lartë “NDER I KOMBIT”. E, le ta themi përsëri atë batutën e një filmi:”Po me urrën ç’patën”?!, pra, ç’patën edhe me Agim Qirjaqin?!..Tepër e dhimbshme tek e kujtojm të ndjerin, këtë njeri të heshtur, para e pas ikjes së tij! Ca më tepër se, si SOT, më 17 janar 1951 errdhi në jetë, pa e gëzuar atë, si iku i pikëlluar, 13 vite para kohe!). Si një personalitet, me diapazon të gjërë artistik, jo vetëm në gjinitë e dramaturgjisë, po edhe brënda roleve të tij, dhënë me përsosmëri si figura të plota njerëzore, si karaktere origjinale të spikatura, komplekse, sejcila me botën e vet të brëndshme. Roli i tij në filmin e Viktor Gjikës “Rrugë të bardha”,është thuajse sporadik, kalimtar e zë fare pak vënd, por Agimi krijon aty karakterin e mëvetshëm të poetit të provincës, që magjepset me flokët e dëborës, në romantikën e tij naive, ndërsa në filmin “Dasma e Sakos” që ka shtrirje në subjekt, paralelisht me personazhin kryesor, krejt ndryshe, ku diagrama e rolit të avokatit, është kaq e plotë, nga serioziteti i figurës gjer në degradimin e imitimit të“gjelit të provincës”, duke e transformuar veten në një “rrogoz” ordiner të çifligarit që po rrënohet tërrësisht e me gjithësejt. Për të provuar me konseguencën e një atisti të madh diagramën e madhështisë së rreme të një ushtaraku besnik , të Kolonel “Bunkerit”, në filmin me të njejtin titull të Kujtim Çashkut, tok edhe me rrënimin fatal, gjer në vdekje, me po atë konseguencë ndaj vetvetes e ndaj “perëndive” të tij mbi tokë, nën qiell e nën ujë, ku edhe do të mbarojë , tok me atë të qeshurën e tij satanike e me po atë “dashuri” për spaletat e gjeneralit, që nuk do ti gëzonte dot. Si edhe kur do të ulej në fronin e një mbreti vrasës , sikundër qe Rikardi III i Shekspirit, tek do ta lumturonin edhe duart e gjakosura, me buzëqeshjen e tij të hollë e të kobshme. Vështirë se na vjen më një aktor i tillë, i përsosur që di hem të bëhet një me rolin , hem të “përdridhet” si bishë, edhe të dalë mbi rolet e tij, me gjakftohtësin e një sadisti…”Interpretata e një artisti të fortë vlen më tepër se qindra kritika e shpjegime prej savantësh të specializuar”,-shkruante F.S,Noli në introduktet e tij të famshme Shekspiriane, që në vitin 1926.
Ky “Artist i fortë”, si e përkufizon Noli, natyrën e një krijuesi të tillë, pati guximin intelektual e kurajon e një krijuesi, të eksperimentoj gjërësish edhe “Teatrin Absurd”, që anatemohej në atë kohë, si një gjini “kundër rrymës”, nga ideologjia partiake, po edhe nga ne pedagogët e asaj kohe, duke përfshirë edhe veten time, ndërsa Agim Qirjaqi, që në vitin 1990 zgjodhi për të vënë në skenë veprën absurde të Arabalit “Fundi i lojës”dhe “Këngëtarja tullace” e Beketit “! Dy surpriza edhe si regji e aktrim! Për të vazhduar më vonë me “Në pritje të Godos”të Ioneskos, ku do të shkëlqente me rolin kryesor të Vladimirit, në një trajtim tragji-komik , ku fenomeni i asgjësë, tingëllonte i pranueshm, kur realiteti ynë shoqëror përthyhej dhimbshëm. Me një akt aktrimi triumfal, tek drama tjetër e Ioneskos “Mbreti po vdes”, ku rrënimi i intelektualit, merr nota groteske, jashtë një realiteti që hiqet e shtirret në normalitetin e së zakonshmes.
Askush nuk thotë “fjalë të tepërta”a të bëjë elozhe të pamerituara, për këtë artist virtuoz, shtatlartë, me tipare aristokratike, thuajse të heshtur dhe me një ndijesi aq të ngrohtë familjariteti me këdo. Disa nga regjisorët e rinjë (ish studenta të mi, si Saimir Kumbaro, Mevlan Shanaj e Kristaq Mitro), që e kanë angazhuar si aktor në filmat e tyre, apo që kanë interpretuar bashkë me të, shprehen në superlativë për aftësitë e tij krijuese e njerëzore. Mevlan Shanaj e quan:”një aktor të kompletuar, me sqimë dhe me intelektë të veçantë…, me humor spontan…,që nuk dinte të bërtiste…,me karaktristika që mbeteshin në kujtimet tona më të mira”. “Aktrimi i tj,-shkruan studjuesi e miku im i kritikës Josif Papagjoni,-ishte tejet elegant, fin, në suazën e brilantes, veti kjo vështirë e arritshme si tipologji loje, ndaj dhe e paktë ndër aktorët shqiptarë…”
Tek krijimtaria e mëvonshme e Qirjaqit do të vërrehej njëfarë “spirali shpirtëror” që reflektohej hera-herës në repertorin që do të zgjidhte për të interpretuar a për të vënë në skenë, po edhe për personazhet që do ishin më afër këtij “shpirti fleksibël”, ndaj realitetit egzistues. I lindur e i ritur në një mjedis veteranësh të komunizmit, me kalimin e kohës, ai do të ndjente edhe fallcitetin e rrjedhës historike të politikës totalitare, varfërinë e tejskajshme të popullit, kur edhe njerëzia burgosej për “një fjalë goje”, apo kur nëpër dyqane mungonte mishi, patatja e kafeja e përcjelljes së të vdekurve! E ndjente e s’kishte si mos ta ndjente Qirjaqi, ndarjen e kastave e shterpësinë e lirisë së personit, ca më tepër edhe të artistit. E gjitha kjo reflektohenj në heshtjen e tij, si edhe në “mbetjen në hije”,-sikurse më është shprehur regjisori i tij Mitro, tek filmat “Dimri i fundit” dhe “Apasionata”, duke shtuar se ai “nuk i duronte dot njerëzit që autobërtasin…Oh! Sa shumë kisha për të thënë për këtë mjeshtër!…një portret sa Picoli. Mishëronte më të mirën e mjeshtrisë së aktrimit, që e çon spektatorin në një botë sa fantastike dhe të vërtetë. “asnjëherë,-më thoshte Qirjaqi,-nuk kam patur frikë të tregoj të vërtetën, ashtu siç ishja””. Nuk qe e rastit edhe ajo nuancë interpretimi e tij ,me lakimin e buzëve, kur nuk i pëlqente situata e krijuar a njeriu përball tij, si edhe rrethana e ngjarjeve, kur mernin zhvillim përmasat e kundërta, të papëlqyera e revoltuese. Dhe, pasi kishte interpretuar me nota të zeza kolonel Bunkerin, ai do të zgjidhte për të interpretuar Ibsenin. Ballë për ballë, me të keqen, korrupsjonin e degradimin e shoqërisë qytetare. Kështu, potenciali i këtij aktori do të rrëfehej me nota të vërteta e pathos qytetar në shfaqjen “Armiku i Popullit” të këtij novatori të Teatrit Modern, ku edhe formati i aktrimit të tij del jashtë kornizave bashkëkohëse Shqiptare, si një artist-TRIBUN, i zhveshur tashmë nga manteli arstokratikë, duke i hedhur përtej “dorashat e bardha” të duelit, me një interpretim “alla Brando”, që i përket skenës botërore të aktrimit, i denjë për të interpretuar kudo në BOTË, e cila përherë ka e do të ketë nevojë për aktorë të këtilla përmasave. Agim Qirjaqi qe një aktor modern i këtyre përmasave. Si SOT ai do të festonte DITËLINDJEN!
Athinë, janar 2023, në një natë të zezë e me shi tërbimi

Related Posts

Leave a comment