Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

MARIE LOGORECI,-IKONË NDERI E TEATRIT SHQIPTARË

307684024_5665857453476989_1601532418208446805_n

Miho Gjini

Edhe dita e djeshme kaloi më së shumti me grënjë e biseda politike. Duket sikur nuk kemi ç’farë të themi tjetër e ç’farë të kujtojmë. Dha as që të na shkonte mëndja që të ndjehej më gjërësisht përvjetori i një Ikone të Kulturës Kombëtare që dje pati 102 vjetorin e lindjes dhe 34 vjetorin e largimit nga jeta. Ama flitet për një Artiste të Popullit, shpallur edhe si “NDERI I KOMBIT”, e cila qe e mbeti si një “IKONË KISHE” e përjetshme, për nga shënjtëria e saj njerëzore dhe nga arti i interpretimive skenike të figurave madhore të nënave shqiptare. Si të kishte edhe ajo diçka nga Maria e Shenjtë, së cilës i kishe merrë emrin e ndritshëm!
Qe një kohë, kur ne studentët e aktrimit, vinim herët në oborrin e Teatrit Popullor,para se të vinin ata, profesorët e profesoreshat që s’kishin shkollë, po që kishin bërë shkollë me jetën e tyre të gjatë skenike, me përvojën e madhe , si edhe me ato krijime të pavdekshme e hire që kishin para syve tanë. Si edhe para publikut të etur, kur zinin rradhë të gjata që herët mëngjezeve, për të prerë një biletë e për t’i parë ata në skenë. Ndërsa ne përgjonim padukshëm këndeve e rrëzave të godinave tona paralele, ku bënim edhe shkollën e lartë dhe mezi prisnim kur ata vinin çdo mëngjes në studjon e provave dhe në çdo mbrëmje, për t’u ngjitur në skene, si të ishin”magjistarë” apo “ikona” të atij tempulli që quhej TEATËR. Mihal Popin, Naim Frashërin, Kadri Roshin, Loro Kovaçin, Pjetër Gjokën, Viktor Gjokën, Mihal Stefën, Prokop Mimën, Sandër Prosin, Ndrekë Lucën, Gjon Karmën, po edhe ato, që e zbukuronin skenën, partneret e tyre të shënjtëruara: Maria, Margarita, Liza, Drita, Besa, Esmaja, Violeta, Marika, Afërdita….O Perendi,Afërdita Taçi?! Ç’u bë vallë, kjo aktore, që feksi një natë me Ofelinë e saj dhe befas u zhdukë?! E që për gjashtë dekada askush nuk di të thotë se ç’u bë me të e ku ësht ajo, mbi dhe a nën dhe, nën kupën qiellore apo diku më lartë, në të ashtuquajturën PARAJSË?! Po Maria, ku është Maria? Marie Logoreci! Që dje kishte ditën e lindjes e u fol shkarazi për të, që nuk u kremtua si e ka vlerën dhe nderin?!
Ajo kishte lindur në Shkodër më 23 shtator 1920, si dje, dhe kishte ardhur në Tiranë 17 vjeçe vajzë… Ashtu e bukur si ishte, e shkathët e me zërin akoma më të bukur, me një repertor këngësh shkodrane e të shqipërisë së mesme që i “qante” së interpretuari në Radio-Tiranën e asaj kohe. Duke i shoqëruar vetë këngët me mandolinë a me kitarë, me virtuozitetin e saj të lindur. E njohur me emrin TUSHI, ajo arinë ta magjeps djaloshin e sapo kthyer nga Vjena, Kolë Logorecin, i cili martohet menjëherë me të. Dhe ndryshon krejt jeta e Tushit! Ajo do te quhet tani Marie Logoreci, për tu bërë nuse në shtëpinë e fisme të Mësuesit të Popullit Mati Logoreci, ku hynte e delte edhe Fishta, Koliqi, Çabeji e Xhuvani. Aty ajo do të mësonte se i vjerri, e kishte djalin e hallës poetin At Ndre Mjeda, bilbilin e poezisë veriore të Shqipërisë. Në këtë teren intelektual zgjerohej bota e artistes së re, solistes në Korin e Përgjithshëm të Shtetit, e cila perfeksinohet në kanto, nën drejtimin pedagogjik të Mjeshtres Jorgjia Truja, krahas përfundimit të mësimeve në Gjimnazin e Tiranës. Pa u shkëpur edhe nga tre pasionet e saj: nga piktura (me afro 100 skica vizatimi me laps e penel, nga të cilat kanë mbetur 20), nga sporti i çiklizmit (me intinerare të gjata:Tiranë-Durrës dhe Tiranë Shkodër), si edhe nga muzika e kënga.Tashmë, ishte formuar tek artistja e sportistja e re, edhe pasioni i aktrimit, i katërti e i përjetshmi. Një pasion i “zgjuar” prej një regjisori të famshëm rus, Sergei Jutkeviçit, që xhiroi me mjeshtri të rrallë artistike, si një epope për prijsin tonë Skëndërbe dhe që zgjodhi për rolin e një konteshe Marie Logorecin (atëhere Tushin e bukur prej Shkodre). Dhe, në vitin 1947, Marie Logorica hyn në portat e këtij Teatri, pët të mos dalur më, vetëm pasi interpretoi aty 40 role në skenë dhe 12 role në filmat tanë. Duke patur gjithmonë edhe “shtytjen” e adhurimin e të shoqit, gjer në aktin e fundit, kur ai largohet nga jeta, duke e lënë bashkëshorten aktore vetëm me të birin, me përkushtimin e thellë për mirëritjen e tij e me pasionin e pestë të saj: për lulet në aborr e për pëllumbat që u kishin bërë fole nën strehën e shtëpisë!
I kishte ardhur Teatrit Popullor aktoria që i mungonte, mjeshtria e rrallë e roleve të grave, me shpirtin ndezur nga mirësia e ndjeshmëria e madhe, sidomos të nënave tona, malësoreve krenare e stoike. Me të folurën e saj plotë ëmbëlsi që runte tingëllimën e koloritin verior, ku ishte ritur, pa dalur asnjëherë jashtë teksteve të roleve në drejtshkrimin shqip, sipas standarteve gjuhësore. Me karakterin e personazheve, herë epik e herë tragjik. Ne do të mahniteshim në skenë me Loken e dramës “Toka Jonë” të Kolë Jakovës, me malësoren e vrarë nga jeta, të nëpërkëmburën e të përdhunuarën nga përbindshat e asaj kohe të errët, edhe me Bernarda Albën e Lorkës, nënën despotike që frenonte të bijat për ta gëzuar jetën e tyre e i mbyllë ato si në nje manastir, po edhe me Gertrudën, nënën e Hamletit të Shekspirit që rimartohet me të vëllan e mbretit të vrarë me pabesi, nga etja për pushtet, duke i kthyer shpinën të birit e kujtmit të së shoqit bujar e fisnikë. Një aktore pra që është në gjëndje të interpretoj karaktere komplekse e të fuqishme dhe t’i ngrëjë në pjedestal tre figura atipodesh të ndryshme, të pushtuara nga tragjizmi, me botë shpirtërore të trazuar, me psikologji e pasione të forta, etikë e lëvizje adekuate, të matura, e cila do të mbetet e paharuar edhe në 100 vite të tjera, ikonë e madhe, shëmbëlltyrë për vajzat e reja aktore. Në këto realizime figurash skenike të tipizuara dhe me energji shpërthyese, me plot temperament, i falej edhe ajo kantilenë që kishte interpretimi i saj nga teatri i së kaluarës, që dukej sidomos në filmat e parë të kineastëve tanë, po edhe në disa shfaqje të repertorit të njëhershem ,-gjë që erdhi duke u retushuar me ardhjen e regjisorëve të rinjë, nga studimet e tyre në vëndet e lindjes. Gjithashtu, i falet edhe ndonjë përsëritje në këto figura, kur regjisorët binin në po ato gabime të njësimit e uniformitetit të figurave të grave të moshara, pra të nënave, po me ato aktore suksesi, sikundër qe edhe Marie Logoreci, e sinqertë në rolet e saj, me një vetndijesi të pasur, me thjeshtësi e vërtetësi kur e donte puna, si edhe me temperament e pasione të forta, që arinin dallgët e detit e majëmalet. Sikundër qe ajo: Marie Logoreci, si njeri e si aktore e kompletuar, bashkë me shënjtërin e emrit që trashëgonte!
E megjithatë, një aktore me kulturë si Logoreci, do të dinte të krijonte edhe personazhe që nuk ngjanin më njera tjetrës, sikundër qenë rolet në dramën e Shilerit “Intrigë e Dashuri”(Ledi Milford), Alisa te “Rrënjë të thella”, Maria Vojnicka te “Xhaxha Vanja”, Kontesha Xampa te “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, apo roli komik i Elmirës te “Tartufi” i Molierit e tj. Kjo galeri rolesh rrëfente , jo vetëm për larmine e repertorit , po edhe për potencën e aktrimit nga roli ne rol, duke krijuar veçori dalluese për sejcilin rol. Pra, kishim të bënim me një aktore të mënçur e me kulture profesionale që e lakmonin regjisorët, po që e donte dhe e duartrokiste publiku. Marie Logoreci shquhej për etikën e saj shembëllore, për seriozitetin në prova, ku vinte gjithmonë me një përgatitje të vazhdueshme. Ndërsa në skenë nuk i shpëtonte asnjë lapsus, duke e mbajtur rolin në diagramën e vet llogjikë e emocional. Kjo aktore që dinte përmënç vargje të tëra nga “Eposi i Kreshnikëve”të vëndit tonë, po edhe nga Homeri, Fishta e Mjeda, e kishte kujtesën në një gjëndje sigurie e freskie të habitshme , edhe kur vitet nisën t’i rëndonin mbi supe. Njohëse gjithashtu e gjuhëve italiane e malezeze. Dhe, ashtu si ishte sistematike në jetën publike e në Teatër, ishte edhe në shtëpine e saj, me një përkudesje të habitshme për pëllumbat, macet e qenin e shtëpisë, me lulet e oborrit, me gatimet e përsosura, si edhe me ato lexime të shumta nga letërsia jonë dhe ajo e huaj që nuk i ndante nga vetia. Një grua e mënçur dhe përherë e bukur, e thjeshtë dhe e dashur, që rezatone edukatën e kulturën e saj. Figurë e denjë dhe e përsosur, jo vetëm në Teatër, po kudo që i shkelte këmba, në jetën shoqërore, midis njerëzve e spektatorëve të saj. Ndajë edhe e kishte merituar Urdhërin e lartë “Artiste e Popullit”, si edhe vlerësimin më të lartë akoma si “NDER I KOMBIT!”
Piqeras, më 24 shtator 2022

Fotografia e Miho Gjini
Fotografia e Miho Gjini
Fotografia e Miho Gjini
Fotografia e Miho Gjini

Related Posts

Leave a comment