Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Revista austriake: Kurti jo vetëm që po e izolon veten, por të gjithë Kosovën

-640-0-1680252091xkurtipng-240

Situata e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me serbë etnikë ka qenë një ndër temat kryesore që ka trajtuar revista e përjavshme austriake e lajmeve me seli në Vjenë “Profil”, e cila edhe ka sugjeruar pesë hapa që palët e angazhuara në terren duhet të ndërmarrin para se të jetë tepër vonë.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësi kryesor në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas revistes austriake, duhet t’i qartësojë fillimisht përgjegjësit për krizën në veriun e Kosovës, ku serbët lokalë janë duke protestuar atje që prej 26 majit.

“BE-ja dëshiron të jetë një ndërmjetës neutral dhe për këtë arsye shpesh thotë se ‘të dyja palët’ duhet të de-përshkallëzojnë situatën menjëherë. Shumë e shohin këtë disproporcionale sepse asgjë që ndodh në veriun e Kosovës me shumicë serbe nuk ndodh pa konsultim me Beogradin”, shkruan revista austriake.

“Ajo duhet të deklarojë qartë se kush qëndron pas dhunës në veri dhe çfarë roli luan Beogradi në këtë situatë, ndoshta edhe Rusia. Në Prishtinë, njerëzit ndihen gjithnjë e më shumë të lënë anash”, thuhet në artikullin e revistës austriake me titullin “Çfarë duhet bërë tani në Kosovë?”.

Hapin e dytë drejt de-përshkallëzimit të situatës në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – sipas revistës austriake, duhet ta bëjë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) me një hetim se si ndodhi rrëmbimi i policëve kufitarë të Kosovës nga strukturat serbe të sigurisë.

“KFOR mban një profil të ulët për incidentin në kufi dhe deklaron se nuk ka qenë aty. Çështja u mbyll? Shpresojmë që jo. Qarqet diplomatike thonë se KFOR-i e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur më 14 qershor. Mbajtja e këtij informacioni të fshehtë çon në teori konspirative”, shkruan revista austriake.

Gazetarja Franziska Tschinderle ndër të tjera vlerësoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ndoshta në pikën më të vështirë të karrierës së tij, ngase aleatët më të rëndësishëm – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – janë gjithnjë e më të zemëruar me të.

“Me përpjekjet e tij solo, ai jo vetëm që e izolon veten, por të gjithë vendin. Ndryshe nga [Presidenti i Serbisë, Aleksandër] Vuçiç, ai nuk ka aleatë si Kina dhe Rusia dhe për këtë arsye ka më pak hapësirë ​​për manovrim. Duhet të mbetet prioriteti i tij kryesor që të mos i largojë miqtë e tij në Perëndim”.

Hapi i katër drejt normalizimit të marrëdhënieve apo de-eskalimit në veri të Kosovës, sipas revistës austriake në gjuhën gjermane, duhet të jetë zhvillimi i dialogut mes Qeverisë së Kosovës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe serbëve lokalë.

“BE-ja, në vend që ta mbajë dialogun vetëm në nivelin më të lartë, duhet të vendosë pjesën më të madhe të energjive në ndërmjetësimin ndërmjet Prishtinës dhe serbëve të Kosovës. Në fund të fundit, qëllimi është të përmirësohen të drejtat e tyre dhe t’i bindin ata të votojnë sërish në zgjedhjet lokale”, thuhet në artikull.

Hapi i fundit, sipas analizës së revistës austriake, duhet të jetë tërheqja e vargut të “sanksioneve” që janë pregatitur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit për uljen e tensioneve në veri.

“Nuk është vonë për t’i tërhequr. Aplikimi i levave vetëm në Prishtinë do të ketë dy efekte afatgjata. Kurti mund të radikalizohet, duke e larguar popullin e tij pro-evropian nga BE-ja. SHBA-ja e përjashtoi Kosovën nga stërvitjet ushtarake amerikane. Nuk është vetëm një vështrim i çuditshëm, por në kohë përleshjesh kufitare sinjali i gabuar”.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga ky episod i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

 

Related Posts

Leave a comment