Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Nik, rishihemi në Dukagjin…

366623811_776178861180142_582443891442292128_n
Nga Aleksander Cipa-
Dy ditë nëpër ujërat rrjedhëse të Shalës, nëpër Shosh.
Aty ku natyra e ka shëndet rrallësinë e njerëzve.
Ndonëse, tashmë e përditë, kjo mungesë është e ndieshme vetëm për tetë-nëntë muaj të vitit. Kurreshtarët nga krejt Bota shtohen përvitshëm. Dukagjini është territori ende i virgjër shqiptar.
E vetmja mundësi për të shkuar nëpër gjatësinë lartësore të krahinës është lumi, i cili në këto ditë gushti ka në nivelin më të lartë ujor.
Lëvrijnë skafet e ndërtuar artizanatshëm nga Komani drejt luginës së gjelbërimtë të Shalës. Ne na ra rasti të na shërbejë Nik M., një djalosh i fismë dukagjinas. I palodhshëm dhe besnik si malësor, i zgjuar, i shkathët, i mprehtë, symprehtë ndaj çdo pantomime dhe çdo rryme të ujit. Manovrues i shkëlqyer i varkës me motor të cilën e ka ndërtuar vetë dhe ka një kapacitet për rreth 20 persona.
Nik është një rrëfimtar ekspresiv i tipologjive të dukagjinasve, të zonës dhe të raportit të njeriut me këtë natyrë virgjine.
Por në udhëtimin drejt Shalës, ai na jep telegrafisht një skicim të trashëgimisë familjare, fisnore dhe zakonore e cila ende është në fuqi, në Dukagjin.
Ne jetojmë bashkërisht, familja e babës tem me atë të xhaxhait. Tashmë jemi 11 vetë. Qeverisjen e familjes e kryen xhaxhai dhe nusja tjetër e xhaxhait. Ata marrin vendime për gjithçka. Ne punojmë dhe ndihmojmë nën këtë “qeverisje” të patundshme e të padiskutueshme. Kurrë nuk kemi një përplasje. Arat tona atje sipër, ( na i tregon ndërsa ngjitemi përgjatë brigjeve), përballë bregut të zonës së Bushatit).
-Matanë,- thotë Nik, është Temali, andej ka qenë Martin Camaj. (E thotë me krenari, ndonëse pak gjasa ka ta ketë njohur ktejt veprën letrare të Camajt).
Nik është karakteri i një të riu që nuk e ndesh shpesh më në territorin shqiptar.
Besnik i qëndrimit në truall të vet. Rreth të 40-ve, me shtatlartësinë dhe elegancën sportive. Jeton me bindjen se ai duhet të jetojë vetëm duke punuar dhe me besnikërinë për të shtuar punën dhe sidomos rrjetin hotelier dhe restoranteve në Shalë. Aty ndërtohet bukur, me të njëjtën arkitekturë dhe me funksione shërbimi posaçërisht për turizmin lumor malor. Respektohen kushtet dhe ende ruhet sensi i masës. Është një sakrificë e madhe investimi në këtë vend. Shteti do të duhej t’i mbpshteste përmes një plani dhe projekti afatgjatë mbështetës. Ata janë vetëqeverisës dhe besnikë të palëkundshëm të mbrojtjes së pronës dhe të trashëgimisë mbi të. Janë në konceptin e trashëguar të truallit që u takon dheasve, të kësaj krahine.
Të gjitha i kemi bërë vetë. Elektrifikimin e kemi përfunduar para një ose dy vitesh. Shkrep më shkrep i kemi mbartur shtyllat e drunjta të tensionit të lartë dhe kemi zgjatur fijet e telit. Kemi punë, por zgjat shumë pak…Sivjet është shumëfishuar ardhja e njerëzve. Kryesisht dhe ma së shumti të huej!…
Në këto brigje shëtit realisht si në një vis ëndërrash dhe leximesh që nuk ke nevojë t’i imagjinosh, pasi janë realë, si ti që i viziton. Tokë, ujë dhe gjebërim gati stepor në shumë gjatësi brigjesh… Në kreshta ngjiten lloj, lloj bimësh e pemësh. Shquhen kurorat e gështenjave… ka ende shumë kafshë të egra… nuk gjuhet shumë… natyra nuk ka nisur ende “të trembet” nga njeriu…sepse vendasit kanë një trashëgimi të bukur primitive të besimit ndaj saj dhe tek ajo. Besim si ndaj një tempulli…
Nik, shpesh përmend e betohet në Zot, duke më lënë në shijen dhe perceptimin se zotëron një kod të bashkëkomunikimit me natyrën pra, me providencën e prekshme dhe të ndëgjueshme të tij.
Nik, një ditë më parë për herë të parë bëri tri rrugë me varkën motorike prej llamarine Koman- Shalë- Koman…
Puna po i shtohet si në imitim shtese të prurjeve në lumë…
Ne po kapim një shezlong ndanë ujit të kristaltë të lumit dhe mërmërisim:
NIK kemi për t’u riparë shpesh e më shpesh….në Dukagjin…

Related Posts

Leave a comment