Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

MOZAIKU ANTIK I TIRANËS DHE MODERNIZIMI I GRABITJES NGA EDI RAMA

318696280_6344087728953978_7149429476135486121_n
Pak ditë më parë më ra rruga te zona e Mozaikut të Tiranës. Ky i fundit është i vetmi sit arkeologjik në Tiranë, me rrënoja të një vendbanimi të shekullit të II-III pas lindjes së Krishtit. Monument Kulture i Kategorisë së I-rë.
Kaloj shpesh andej dhe e kisha vënë re prej kohësh rrethimin e zonës, por nuk kisha mundur të shikoja se ç’lloj punimesh bëheshin. Tabela e projektit është si e fshehur brenda rrethimit. Edhe, ç’është e vërteta, kisha dëgjuar diku që nuk do bëhej kullë. Kaq më kishte mjaftuar për t’a “fjetur mendjen”.
Herën e fundit po kaloja me nxitim për t’i shpëtuar diellit përvëlues të drekës, por shtanga në vend për një moment. M’u duk sikur kisha ngatërruar rrugë. Në zonën e Mozaikut tashmë ndodhej një masiv betoni dhe një strehë gjigande hekuri. Fillimisht m’u bë si vila e Edi Ramës në Surrel, ama nga streha e hekurit ngjante më shumë si kolonat anësore të stadiumit San Siro të Milanos. Thashë se aq e pata ngaqë më kishte rënë dielli në kokë. Pikë e zezë!
U solla nja dy herë rrotull zonës së rrethuar për të parë e kuptuar më mirë se çfarë donin të bënin autorët. Duke u kacavjerrur nëpër rrethim, mezi pashë tabelën e projektit. 1 miliardë e 790 milionë lekë investim. 1 milion e 730 mijë euro! Ndërtues, i vetmi dhe i papërsëritshmi, Shkëlqim Fusha!
Mendova të bëja një status, ashtu në nxehje e sipër, por e lashë të hulumtoja pak më shumë.
***
Mozaiku i Tiranës i është nënshtruar një sërë ndërhyrjesh viteve të fundit. Restaurimi i vjeshtës së vitit 2020 u propagandua nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si vendimtar për jetëgjatësinë e mozaikut dhe rritjen e numrit të vizitorëve. Por, pavarësisht specialeve të shumta televizive, nuk rezultoi kështu.
Në pranverën e vitit 2021 Bashkia Tiranë nisi një projekt në zonën ngjitur me Mozaikun, prapë me premtimin e zhvillimit. Fadromat e Erion Veliajt, pa asnjë lloj studimi apo konsultimi me ekspertë të arkeologjisë, nisën gërmimet ngjitur me rrënojat antike. Në gërmime e sipër u zbuluan rrënoja të tjera që, falë ngritjes së zërit nga profesionistë të fushës për ndërprerjen e punimeve betonizuese, sollën zbulime të reja dhe dyfishimin e zonës arkeologjike.
Por zbulimi i paqëllimshëm prishi hesapet e pushtetarëve, të cilët kishin kaparosur plot 286 milionë lekë për ndërtimin e një shatërvani. I zënë ngushtë, por pa u dorëzuar, pushteti e ktheu dhimbjen në forcë. Dorëlëshuari Edi Rama e 6-fishoi shumën e projektit, nga 286 milionë lekë në 1 miliard e 790 milionë! Fiks në mes të marsit 2022, m’u në kulmin e protestave masive popullore kundër rritjes së çmimeve!
Projekti i ri sigurisht që nuk është i fokusuar në gërmime të mëtejshme, për të kontrolluar në gjithë zonën përreth për rrënoja të tjera arkeologjike. Përkundrazi, është një projekt tërësisht betonizues, nga ata që askush nuk di t’i bëjë më mirë sesa Edi Rama. Brenda një betoni dy-katësh do të ketë një muze digjital të Mozaikut të Tiranës, ndërsa ky i fundit do të mbulohet nga një hekurishtë gjigande në formë strehe.
Pa qenë dhe pa dashur aspak të hiqem si ekspert i fushës, por duke dëgjuar deklarata të këtyre të fundit dhe pas një hulumtimi të thjeshtë, mund të rendisim disa probleme që lidhen me projektin në fjalë.
Së pari, sipas Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” ka një distancë që duhet respektuar, brenda së cilës nuk mund të ndërtohet pranë Monumenteve të Kulturës. Kjo lidhet me faktin se zona arkeologjike mund të jetë gjithmonë në zhvillim dhe subjekt i gërmimeve të reja. Në rastin konkret jo vetëm që nuk është respektuar kjo distancë, por as është konservuar si zonë, me ndërtime të lehta dhe të çmontueshme (siç ka qenë deri më sot). Përkundrazi, zonës së Mozaikut i kanë vendosur përsipër një masiv betoni që vetëm me dinamitin e guroreve të Rrajave mund të hiqet. Pra, e kanë vrarë njëherë e mirë mundësinë për pasurimin e mëtejshëm të këtij Monumenti Kulture të Kategorisë së I-rë.
Së dyti, projekt modern për të jetëzuar rrënojat antike. Nëse qytetarë dhe turistë duan ta vizitojnë Mozaikun e Tiranës, do ta vizitojnë për pasuritë arkeologjike antike, jo për projektet fantastiko-shkencore – më shumë për të vjedhur para publike sesa për inovacion – të Edi Ramës dhe Elva Margaritit. Përndryshe gjithë bota nuk do investonte për mirëmbajtje dhe pasurim të monumenteve historike, por për betonizim dhe mbulim të tyre me strehë (imagjinoni Edi Ramën kryeministër të Greqisë dhe Elva Margaritin ministre kulture të Italisë, që porositin Shkëlqim Fushën të mbulojë me streha gjigande Akropolin dhe Koloseun…).
Për shembull, vetëm pak javë më parë në fshatin Lin të Pogradecit arkeologë shqiptarë dhe zviceranë zbuluan elementë të një vendbanim mbi 6 000-vjeçar. Nuk e bënë duke ngritur beton dhe strehë hekuri, por përmes ekspeditave arkeologjike. Duke gërmuar. E njëjta gjë mund të bëhej edhe te Mozaiku i Tiranës dhe zona përreth, investimi të orientohej për gërmime dhe zbulime të reja arkeologjike. Ato do ishin risia që do sillte vëmendjen dhe interesin e turistëve.
Megjithëse unë i druhem shumë faktit që Edi Rama mund të çojë edhe në Lin ndonjë “investitor strategjik”, për të ndërtuar në liqen ca vendbanime palafiti ultramoderne. Të zëvendësojë ata drurët e kalbur 6 000-vjeçarë me ca kolona të pavdekshme betoni. Siç tha edhe Vangjush Dako dikur, “sot janë monumente kulture rrënojat romake, pas 300-400 vjetësh do jenë veprat e Rilindjes”. Dhe, sigurisht, patronazhisti më i shkurtër i PS-së nuk kishte nga të merrte referenca tjetër veçse nga patronazhisti më i gjatë.
Së treti, kostoja marramendëse e këtij projekti. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Erion Veliaj nuk dinte ç’gënjeshtra të shpikte për shumë premtime të pambajtur gjatë 8 viteve në krye të Bashkisë Tiranë. Për 40 shkollat e munguara në kryeqytet, tha se kishte ngecur puna për shkak të rritjes së çmimit të hekurit dhe betonit, ndërkohë që në Tiranë ndërtimi është i vetmi sektor që ecën me ritme marramendëse, madje vdekjeprurëse për qytetin.
Me paratë për betonizimin e Mozaikut të Tiranës, një qeveri serioze dhe e përgjegjshme do të kishte ndërtuar dy shkolla të reja. Sigurisht, sipas kostove të projekteve të Bashkimit Evropian, se projektet e hajdutërisë së Rama-Veliajt shkojnë trefish. Një qyteti si Tirana do i bënin më shumë nder dy shkolla të reja, që do u përmirësonin mësimnxënien mijëra nxënësve dhe do u lehtësonin jetën mijëra prindërve, në vend të një projekti që shërben vetëm për të kënaqur egon e sëmurë dhe xhepat e pangopur të Edi Ramës.
Po edhe nëse nuk merremi fare me shkolla të reja si alternativë dhe marrim thjesht koston e projektit në fjalë. Ai betoni dykatësh ka një sipërfaqe totale ndërtimi rreth 500 m2. Del që kostoja e ndërtimit është 3 500€/m2, njëjtë sa çmimi i shitjes nëpër kullat që po mbytin Tiranën. Besoj që kjo kosto marramendëse mund të justifikohej vetëm nëse në atë muze do arrinim të takonim ndonjë pellazg!
Kosto më të lartë mund të ketë vetëm projekti tjetër lunatik e kriminal i Edi Ramës, “kopshti i Edenit” brenda kryeministrisë, 4 milionë e ca euro. Këta edhe kur nuk ndërtojnë kulla, me të cilat mund të pastrojnë para dhe pastaj t’i shesin me çmime kacafiu, sigurohen paraprakisht që fitimin për çdo metër katror investimi publik ta përfshijnë në projektin e financuar nga paratë e qytetarëve si çmim kulle.
***
Për ta mbyllur, si një (fjalë) dhe një mijë e një, projekti i Rama-Margaritit për Mozaikun e Tiranës është jo vetëm abuziv e korruptiv nga ana financiare, por mbi të gjitha shkatërrimtar për perspektivën e sitit të vetëm arkeologjik në Tiranën që ia kanë zëvendësuar historinë dhe identitetin me kulla dhe beton.

Related Posts

Leave a comment