Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dy Popuj Miq

369627772_1069627207777130_1225816561990324625_n
E konsideroj veten njohës të Italisë së viteve 90. Jam rritur me televizionin italian, me programet e Rait në fillim dhe më vonë dhe të Mediasetit. Si shumë nga bashkëmoshatarët e mi e kam mësuar italishten që i vogël. Para se të shkoja në shkollë (klasa e 2-të e mbrapa e bënim mësimin pasdite) fikja televizorin e dilja vetëm pasi dëgjoja siglën hapëse të emisionit “Piacere Rai Uno” (89-92), kënduar dhe drejtuar nga i ndjeri Toto Cutugno, atëhere me flokë të zeza e relativish i ri.
Italia ishte një realitet përtej ekranit po aq i afërt sa ai shqiptar i pas dritares. I njihnim filmat, emisionet, prezantuesit, kengetarët, aktorët, sportistët, politikanët, shenjtorët dhe kriminelët.
Ne vitet 90 Shqipëria ishte vend krizash të zhurmshme, çdo disa muaj, vidheshin zgjedhje, plasnin protesta, rrëzohej sistemi, niste eksodi i rradhes, shfaqeshin banda të armatosura, mbyteshin anije e sekuestroheshin gomone.
Vendi yne, ne shqiptarët, ishim të abonuar në lajmet dhe emisionet pertej detit, pergjithesisht me histori dhune e mjerimi. Çdo reportazh mbi Shqipërine edhe kur fillonte me nota optimiste shpejt binte në klishe rrangallash, karrocash me kalë, pluhuri e varfërie nën sfondin e melodive të Bregoviçit.
Atëhere acarohesha sa here shikoja keto emisione, pasi mendoja qe ishin paragjykuese dhe injorante. Kur i mendoj sot besoj se ishin vetëm pjeserisht te paverteta. Pershembull me kujtohen thenie ne kufinjt e absurdit, te tipit: “Shqiptaret ndahen ne dy rraca, Ilirët dhe nje tip tjeter (që s’ja kujtoj emrin), te parët jane brunë dhe jetojne ne qytet kurse te dytet bjondë që jetojnë kryesisht në fshat” (degjuar mbase tek Tg2 Dossier). Por nga ana tjeter teksa kujtoj Tiranen e viteve 90 ku ngurroje të dilje rrugës pas shiut pasi te beheshin pantallonat me balte, ose kur kujtoj ushtritë e lypsarëve në dalje të portit te Durrësit sa herë kthehesha në atdhe, nuk mund ti ve shume faj perceptimit te tyre, mbase kishin të drejte, permes syve te tyre Shqiperia ishte vertet vend kaosi dhe hallexhinjsh.
E njoh dhe Italinë e viteve 2000 pasi kam jetuar e studiuar atje deri ne 2008-ën. Kujtoj vështiresitë per te gjetur shtëpi. Me tu kuptuar qe isha shqiptar qiramarrja bëhej e vështirë. Nje here takova nje zotëri, me sytë e buçatur dhe me të nxira ne krahë, nga ata tipat që në situata normale i mban larg. Ai jepte një dhomë me qira dhe pas telefonatës dhe vizitës në shtëpi më pyeti nga isha. Shqiptar u përgjigja. Me fal tha, por me gjithë këto që po ndodhin ( 11 shtatori, lufta ne Irak) lart e poshtë nuk ta jap dot dhomën.
Një herë tjetër bëra një denoncim pasi pësova nje vjedhje ku nder te tjera me morën lejen e qëndrimit. Te nesërmen kur u ktheva në komisariat per te marrë një kopje të denoncimit, nje polic kokërruar ne dukje skrupoloz si komisari Montalbano (personazh librash e filmash) mu kanos: Merre dhe mos u duk më këndej!
Nuk e zgjata por u merzita shume me damkën që mbaja, ishte e pakonceptueshme që një shqiptar ta vidhnin, shqiptari vetëm mund të vidhte, sipas policit unë me siguri i kisha shitur diku letrat.
Emigrantët e atyre viteve besoj e mbajne mend frazen gjysmë ngushëlluese që shpesh thuhej, pas një heshtje të shkurtër, pasi prezantoheshe si shqiptar: epo ka njerez te këqinj gjithandej.
Tani e njoh me pak Italinë, nuk ja shoh me programet televizive dhe shkoj më rrallë, e megjithatë ketë vit me qelloi të udhëtoj disa herë brenda nje kohë te shkurter, në Napoli, Rome, Puglia, Calabri dhe Siçili. Pervoja qe e ndryshme nga dikur.
Ne shumë raste na u desh te prezantohemi: “Jemi nga Shqiperia”. Reagimi ishte i papritur: vend i mrekullueshem; kam qene; do shkoj; ka shkuar nje shoku im dhe me ka treguar foto; nje shoku im eshte martuar me nje shqiptare; nje kushuriri im eshtë transferuar në Durrës, etj etj.
Radiot Italiane, edhe ato lokalet, një e dy flisnin per Shqiperine, per çmimet e lira, vendet e bukura, se sa i mire ishte ushqimi. Shqiperia shfaqej ngado, madje dhe tek kamerieret shqiptare, banues ne Itali, te cilet nuk i dalloje dot nga te rinjte italiane, qe benin aty punën verore deri ne fillim te shkolles.
Pas një incidenti të papëlqyeshëm në Katania, u ndeshëm me policinë Italiane, na kërkuan disa herë falje për ndodhinë, madje të frustruar nga krimi në rritje në qytetin e tyre lavderuan policinë Shqiptare: “ah janë përpara ata”. Vlerësimin në atë rast e shoqërova me një “eh” evazive.
Ndryshimi ndihej dhe ne traget, ne portin e Barit udhetaret nuk jane me refugjatë me makina me amortizatorë të rënë, të mbushura me rroba e batanije, por Shqiptarë, Italiane, Franceze, Polake, grupe te rinjsh, dhjetra kampera ngarkuar me biçikleta njësoj siç dukeshin dikur tragetet e Greqise qe niseshin nga moli ngjitur.
Ka nje ndryshim të dukshëm, Shqiperia nuk eshte me e dikurshmja, edhe Italianet nuk na shohin si më parë . Per ne shqiptaret duam apo sduam eshte e rendesishme se si na shohin ata. Vendi pertej adriatikut eshte pasqyra jone, dhe reflektimi yne tek ata pasqyron deshirat tona. Pa dashur te hy ne sterhollime filozofike me duket me vend nje citim i Hegelit nga “fenomenologjia e mendjes”:
“the Other Self is the only adequate mirror of my own self-conscious self” / “Uni i tjetrit eshte pasqyra e vetme e unit tim të vetndërgjegjshëm”
Marredhenia me tjetrin, si ne urrejtje dhe dashuri, eshte nje marredhenie dominimi të ndersjelle e domosdoshme për të konfirmuar qënien tonë. Pershembull propaganda ne thelb eshte krahmarrje e ndergjegjeve individuale te degjuesve me qellim te tjetersimit të tyre, qe ata ta mendojne njesoj si subjekti propagandues.
Ne si Shqiptar jemi rritur me nje lloj inferioriteti ndaj Italianeve, Italisë, komshinj të varfer te nje prej kryeqendrave boterore te kultures dhe jo vetëm. Vetëm sot në vitin 2023, mbase që nga kapitullimi italian i luftës së dytë botërore, dy vëndet janë vërtetë pranë. Narrativat shqiptare sot gjejne hapësira për tu infiltruar nëpër labirintet e opinionit publik Italian, ato mundohen ta pushtojnë ate duke dashur ta detyrojnë që më në fund ti shohë Shqiptarët ashtu si këta të fundit parapëlqejnë ta shohin veten e tyre.
Nje grup turistesh ikin pa paguar dhe disa prej nesh hidhen në sulm. Disa janë agresive: hajdute i quajnë; kush tha qe ju jeni me të mire se ne; turp, etj. Disa janë mirëkuptues: keshtu ka gjithandej; dhe ne i kemi bere këto; italianet i duam fort; pyll pa derra ska; haku i skiftereve tane.
Ne thelb të gjithë, kritiket, tolerantet madje dhe cinikët synojnë te njejten gje, ti thonë opinionit publik, idealisht italian, qe jemi njesoj, te keqinj jeni dhe ju si ne, ju na i pranuat gabimet dhe tani ne po ju falim mbrapsht me të njëjtën zemërgjerësi.
Ne nje video nje zotëri shqiptar i bërtet nje zonje italiane qe sapo ka derdhur mbetjet e kamperit vend e pa vend. Ai i thotë, natyrisht para kameras:
“Zonje ca ben, ku kujton se je keshtu, kjo eshte Shqiperia, jo Afrika”
Qortuesi, me gjase bartës i frustrimeve te brezit tim, i shfryn zonjes me patos që zor se do ta tregonte ndaj bashkombasve qe nuk lene rast pa i fluturuar plehrat nga dritaret e makinave. Kritika e tij ndjek te njejtin fill me ato të ngjarjes së mëparshme. Ne kete rast futet ne valle nje “tjetër” i tretë, primitivi i parapelqyer i Europës, Afrika. Falë pranisë së kameras ngjarja kthehet në apelin e rradhës ndaj opinionit publik, një thirrje per tu barazuar duke e drejtuar vemendjen negative drej “tjetrit” tjeter që tashmë nuk eshte më Shqiperia.
Kete 2023-sh ne po ndihemi të pranishëm në botën që deri dje ulej kembryq ne sallonet tona përmes sinjalit televiziv pa na vënë re fare. Zelli yne per tu njësuar një orë e më parë është i mirkuptueshem dhe në dukje i arsyeshëm. Fundja shtrati kulturor mbizotërues i botes se sotme eshte i përafert, kultura “pop” shqiptare nuk ndryshon shume nga ajo italiane e globale, vishemi njelloj, qethemi njelloj, i kemi njelloj telefonat, hame pica e makarona, jetojme ne boten e te njejtave rrjete sociale, ndjekim influencera dhe qeshim permes memeve, kemi te njejtat medyshje ekzistenciale.
Parë me kendveshtrimin e mesiperm jemi njësoj. Nderkohe vazhdon të jetë dhe realiteti tjetër, në të cilin tre katër katunde të Puglias kane po aq monumente historike sa e gjithe Shqipëria, ku dhjete kilometra te Salerno-Reggio Calabria kanë me shumë tunele se sa te gjitha rruget tona te marra bashke, ku në dalje te portit te Durresit vazhdojnë të të mirëpresim grupe të vobektish shtrirë në asfalt. Lista është e gjatë, rruga drejt barazisë se vertetë gjithashtu.
Tiranë, gusht, 2023

Related Posts

Leave a comment