Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Qeveria shkurton fondin e pagave me 8 milionë euro për vitin 2023

-640-0-5357963ef718f1066068ea89289a252c

Nëpërmjet dy akteve normative, qeveria ka ulur zërin e shpenzimeve të personelit me 808 milionë lek apo 8 milionë euro gjatë këtij viti.

Sipas arsyetimit në relacion, ulja e shpenzimeve vjen si shkak i mosmbushjes së vakancave në administratën shtetërore, kryesisht në Ministrinë e Bujqësisë dhe zhvillimit rural dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucione si Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ndërkohë, një tjetër tregues për perfomancën e dobët të rekrutimit vjen edhe nga statistikat e Departamentit të Administratës Publike. Në monitorimin e buxhetit 8 mujor të institucionit procedurat e konkurrimit në shërbimin civil u realizuan në masën 28%, ndërsa si arsye renditet pjesëmarrja e ulët e personave.

Më herët, Top Channel ka raportuar se institucione si SHISH, por edhe Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave kanë pohuar se po vuajnë nga dorëheqjet e punonjësve. Largimi i mjekëve dhe infermierëve është gjithashtu evident me INSTAT që në 2022-in raportoi se numri i tyre në sistem pësoi ulje me 0.7% dhe 1.2%. Gjithashtu Ministria e Financave në strategjinë e menaxhimit të financave publike pohon se mungesa e burimeve njerëzore po rrezikon arritjen e objektivave strategjikë.

DAP në raportin vjetor të 2022-it shprehet se numri i dorëheqjeve u rrit me 53%, më i larti në 7 vite. Gjithashtu sipas institucionit, numri i thirrjeve të shpallura ishte më i madh se plani, sërish për shkak të dorëheqjeve. Ndërkohë norma e zëvendësimit të vendeve të shpallura ishte 78%, treguesi më i ulët se vitet e tjera.

Sipas analizës, arsyet kryesore për mosplotësimin e vakancave përfshijnë mungesën e diplomave në fushat si agronom, veteriner, zooteknik, shkenca inxhinierike apo mjedisore. Ndër arsye të tjera, renditen vendndodhja e largët e pozicionit të punës, por dhe natyra e pozicionit si auditues, prokurime, financier. Edhe pse numri i vakancave nuk është mbushur gjatë këtij viti, MFE sërish ka rritur tavanin maksimal të numrit të punonjësve për institucionet buxhetore dhe qeveritare, por zgjerimi është në nivelin më të ulët në pesë vite. Kufiri është rritur më së shumti për MZHBR si dhe institucione të tjera qeveritare.

Related Posts

Leave a comment