Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Fillesa e COVID-19 si debat i shtresëzuar dhe përballja politizuese e pandemisë

aleksander-cipa-800-0-5f5a4bad3d63d

Nga Aleksandër ÇIPA-

Janë bërë tashmë mbi gjashtëmbëdhjetë muaj që kur COVID-19 është etiketuar si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në këtë hark kohor prej më shumë se një viti, shumëçka është rikonceptuar në jetën tonë të përditshme, sikurse dhe në ekonominë globale. Konsideratat për shëndetësinë publike kanë ndryshuar rrënjësisht dhe gjasat janë që këto ndryshime të mbeten të qënësishme edhe në periudhën pas-pandemike.

Ndërkohë, teksa një sërë vaksinash kundër COVID-19 u përgatitën në kohë rekord, në vende të ndryshme të botës ka nisur një fushatë e ethshme vaksinimi për të parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të sëmundjes dhe për të minimizuar rrezikun e lindjes së varianteve të reja të saj.

Jeta sociale, ekonomike dhe politike është përballur me ndryshime thelbësore të shkaktuara nga pandemia dhe një sens pasigurie për të ardhmen dominon ende shoqëritë tona. Nuk është vetëm ndjenja e dëshpërimit për vështirësitë e kaluara në këto muaj, por edhe frika konkrete se më e keqja mund të jetë akoma përpara nesh. Por nuk është vetëm e ardhmja që shkakton debat të madh, është edhe e shkuara e rishtë.

Megjithëse përgjatë gjithë këtyre muajve komuniteti mjekësor dhe shkencor ka mësuar mjaft për natyrën, tipologjinë dhe karakteristikat e virusit SARS-CoV-2, ende ka një diskutim kontravers dhe dyshime të shumta në lidhje me origjinën e vetë virusit.

Në vetvete, përpjekja për të gjurmuar fillesën e sëmundjes është një domosdoshmëri që lidhet me elemente përtej kuriozitetit të thjeshtë. Nëse konsiderojmë momentin e parë të pandemisë, kërkimi për origjinën e COVID-19 ishte i rëndësishëm për të ndihmuar në përcaktimin e strategjisë për t’a luftuar atë, si dhe për t’u siguruar që të mos kishim një përsëritje të fenomenit.

Për fat të keq, që në gjenezë, gjurmimi i origjinës u politizua për arsye që e tejkalonin interesin e menjëhershëm shkencor dhe të shëndetit publik. Kjo ushqeu një mjedis global të mbushur me mosbesim dhe akuza të ndërsjellta. Nga ana e tyre, këto të fundit lehtësuan krijimin dhe shpërndarjen e teorive të shumta të konspiracionit dhe sollën dështimin e arritjes së një konsensusi real shkencor që aq shumë nevojitej për të tejkaluar ndjenjën e pasigurisë.

Iniciativa më konkrete në kërkimin e origjinës së COVID-19 është përpjekja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në bashkëpunim me Kinën në fillim të vitit 2021. Vetë OBSH konkretizoi në këtë sipërmarrje kërkesën e paraqitur nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë që në maj të vitit 2020. Në periudhën janar-shkurt 2021, nëpërmjet një grupi me 34 ekspertësh, – 17 ekspertë kinezë dhe 17 ekspertë ndërkombëtarë – u përpoq jetëzimi i asaj kërkese dhe I përpjekjeve të OBSH për të arritur një konkluzion në lidhje me fillesën e virusit.

Megjithatë, edhe pse iniciativa u përshëndet gjerësisht fillimisht, rezultatet e saj nuk u pranuan në mënyrë të njëjtrajtshme rreth e rrotull globit. Në fakt, në një sens të gjerë, zhargoni mbi të cilën u ndërtuan përfundimet e arritura, por edhe konkluzioni shkencor, që ishte në fakt listimi i alternativave të gjenezës së virusit nga më e mundshmja tek më pak e mundshmja u pritën me dyshim dhe u interpretuan në mënyrë të ndryshme nga aktorë të ndryshëm gjeopolitikë.

Pamundësia e arritjes së konsensusit vjen për shkak të një elementi të fortë politizimi që iu bë të gjithë kësaj çështjeje që në orët e para të pandemisë. Përpjekja për të mos ndihmuar në shkëmbimin e informacionit dhe për drejtuar akuza dhe kundër-akuza ndërmjet fuqive të mëdha nxiti një kaos që preku pashmangshmërisht dhe komunitetin shkencor.

Tashmë, ndërkohë që edhe misioni kërkimor i OBSH për identifikimin e burimit të virusit dhe rrugën e transmetimit të njerëzit kanë dështuar në arritjen e një konkluzioni dakordësues, është e rëndësishme që priorizimi i interesit shkencor dhe publik të mos devijojë nga nevojat më urgjente të popullsive.

Përpjekja për ta mbajtur gjallë “lojën e kalimit të fajit” jo vetëm që dëmton rrugën drejt të vërtetës, por edhe tërheq vëmendjen nga shqetësimet e menjëhershme me të cilat përballen, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe indirekte nga pandemia COVID-19, komunitetet.

Parë nga një këndvështrim tjetër, problematika e situatës aktuale tejkalon dhe vetë hulumtimin për origjinën e virusit dhe mbartet në arena më të gjera multilaterale dhe në institucione ndërkombëtare si OBSH, veprimtaria e së cilës varet nga qasja konstruktive e vendeve anëtare.

Në këto kushte, cilat janë gjasat për arritjen e një konsensusi shkencor, uljen e toneve dhe të akuzave-kundërakuzave dhe për rritjen e nivelit të besimit?

Në mungesë të një ndryshimi paradigmatik në qasjet e fuqive të mëdha botërore, veçanërisht Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ndaj njëra tjetrës, duken shumë të ulëta mundësitë që të tejkalohet mosbesimi aktual. Në mënyrë të pashmangshme, kjo paralajmëron dhe një vazhdimësi të debatit të zëshëm dhe mos-dakordësisë shkencore. Aq më tepër kur antagonizmi politik mes dy fuqive bëhet edhe më i mprehtë.

Humbësit e mëdhenj në këtë situatë janë domosdoshmërisht komunitetet shkencore, në sensin më të gjerë të fjalës. Në të njëjtën kohë, mungesa e një narrative të konfirmuar dhe të pranuar u jep shtytje teorive të konspiracionit dhe skepticizmit të shtuar të qytetarëve të shumtë anë e mbanë globit ndaj pandemisë, por edhe ndaj masave dhe mjeteve që kemi në dispozicion për ta përballuar dhe luftuar atë.

 

Related Posts

Leave a comment