Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rasti kur gazetari nga denoncues përfundon i pandehur

1602593700_Screenshot1

Elida Lazi

Gazetare

 Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, vazhdon të ketë probleme të mëdha në trajtimin e rasteve ku sulmohen dhe kërcënohen gazetarët apo vihen përballë akuzave me pretendime juridike nga subjekte dhe individë që pretendojnë se cenohen nga raportimet apo shkrimet e thelluara të gazetarëve. Raporte të organizatave vendore dhe atyre rajonale, si dhe studime të thelluara subjektesh dhe organizatash mediatike evidentojnë prej vitesh faktin që në këtë fushë mbarten tradicionalisht probleme dhe çështje të pazgjidhura. Madje edhe të dhënat e publikuara nga një studim i fundit i Institutit Shqiptar për Studimet Ligjore dhe Territoriale, (Qendra A.L.T.R.I), tregojnë një efikasitet të ulët të gjykatave në trajtimin e rasteve.

Rasti i gazetarit Vladimir Muçaj, kryetar i UGSH për qarkun e Fierit dhe editor i portalit newsalbania.al, i cili nga denoncues u kthye në të pandehur, e ilustron më së miri problemin dhe problematikën, kur bëhet fjalë për raste që kanë të bëjnë me gazetarët.

Gazetari Muçaj u mor si i pandehur në dhjetor të vitit 2019, pasi denoncoi dhunën që efektivët e Policisë së Fierit ushtruan ndaj tij. Më pas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier në datën 15.04.2020 i ka paraqitur gazetarit Vladimir Muçaj, fletë-thirrjen për t’u paraqitur në datën 27.04. 2020 për dëgjesë në cilësinë e të pandehurit, në çështjen me kërkues Prokuroria Fier me objekt dërgim i çështjes për gjykim.

Kohë më parë, reporteri Mucaj kishte denoncuar pranë autoriteteve policore dhe ministrit të brendshëm të asaj kohe, shoqërimin për disa orë në komisariat dhe shkeljet e procedurave nga punonjës të Patrullës së Komisariatit, Fier. Ankesa dhe denoncimi i gazetarit shkaktuan reagimin e institucionit të ministrit dhe të institucionit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit, ku u konfirmuan shkeljet proceduriale dhe propozimi për marrje masash ndaj punonjësve të Patrullës që kishin të bënin me rastin. Por që nuk u mor parasysh nga prokuroria e Fierit, e cila e dërgoi atë në gjykatë dhe solli një realitet absurd të kthimit të denoncuesit në të pandehur.

Rasti në fjalë u denoncua në atë kohë edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, si një akt i paprecedent dhe si një proces kundër gazetarëve në përgjithësi.

Ndërkohë në 13 Tetor të vitit 2020, pas disa seancave gjyqësore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i dha të drejtë gazetarit Muçaj. Ky i fundit akuzohej sipas padisë së një grup policësh të Rendit të Komisariatit të qytetit nën akuzën: “Kundërshtim të forcave të rendit”.  Kjo akuzë u mbrojt fort nga prokurori i çështjes edhe në seancën e fundit, duke e kthyer procesin në një komedi, ku “viktima po trajtohej si i akuzuar”. Avokati mbrojtës i gazetarit, Mucaj pasi paraqiti në seancë dokumentacionin e auditit dhe verifikimeve nga SHKÇB-ja, e solli procesin në një moment kthese. Trupa gjykuese merr vendim për pushimin e çështjes duke njohur palët me mbylljen e saj.

Gjatë gjithë seancave të zhvilluara në gjykatë, për rreth një vit, në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit këmbëngulnin për ndëshkim ligjor të gazetarit.

Në një tjetër reagim të Unionit të Gazetarëve Shqiptar, ku tërhiqej vëmendja rreth akteve të dhunës policore mbi gazetarët, përmendej sërish rasti i gazetarit Muçaj.

Në reagim, Unioni nënvizonte se: “Raste të dhunës dhe arbitraritetit policor ka pasur edhe në qytetin e Fierit si në rastin e kryetarit të UGSH-së, dega Fier, Vladimir Muçaj për këtë qark, ndaj të cilit në mënyrë absurde ka nisur edhe një proces gjyqësor, ndërkohë që vetë policia e shtetit përmes dokumentave të shkruara ka fajësuar policinë lokale”.

Edhe pse çështja u mbyll me të drejtë në favor të reporterit Muçaj, ajo u apelua më pas nga pala tjetër. Gjykata e Apelit e rikthen për shqyrtim në gjykatën e Fierit e cila mori vendim për dënimin e gazetarit me dy muaj burg, ndërkohë që vet akuza nuk e kishte këtë kërkesë.

 

Raste të tilla si ai i gazetarit Mucaj në Gjykatat e Rretheve Gjyqsore nuk janë të vetëm.

Vetëm gjatë vitit 2020, sipas studimit të kryer nga Qendra A.L.T.R.I janë regjistruar gjithsej 8 çështje penale ku janë gjykuar 6 dhe 2 janë ende në proces shqyrtimi. Ndërkohë, nga gjykimet e kryera për çështje penale gjatë vitit 2020 rezulton 1 i dënuar. Me vendim përfundimtar për vepra penale të kryera sipas Kodit Penal janë gjykuar 5 persona, 3 nga të cilët janë deklaruar të pafajshëm dhe një fajtor.

 

Ndërkohë, vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjatë vitit 2020, janë regjistruar gjithsej 66 çështje civile, me palë gazetarë apo përfaqësues të medias. Nga analiza e të dhënave vihet re se numri i çështjeve të përfunduara është vetëm 14, ndërkohë që 52 të tjera janë ende në proces shqyrtimi. Në këto 14 çështje, në 9 prej tyre, gjykata ka vendosur pushim të çështjes, 3 janë pranuar pjesërisht, vetëm 1 është pranuar e plotë dhe 1 tjetër ka patur kthim aktesh.

Ndërkohë që për vitin 2021, në studim nënvizohet se në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore janë  regjistruar gjithsej 8 çështje penale. Nga të cilat 6 janë në Tiranë, një në Fier dhe një në Gjirokastër. Ndërkohë, përgjatë këtij viti janë regjistruar dhe 49 çështje civile me palë gazetarë apo përfaqësues të medias. 12 prej të cilave është vendosur pushimi i çështjes, 1 është pranuar, 3 të tjera janë pranuar pjesërisht, 2 të tjera kanë rezultuar me kthim kërkesë padie dhe 2 me kthim aktesh, ndërsa për një tjetër cëshytje është vendosur rrëzimi i saj.

Nëse do t’i referohemi databazës së historikut të të dhënave, ku shpjegohet se në cilat afate kohore është gjykuar një çështje penale apo civile në të tre shkallët e gjyqësorit, si dhe mënyrën si ka përfunduar gjykimi i tyre, shohim një numër të vogël çështjesh të regjistruara.

Në 107 rastet e raportuara në media që u morën në shqyrtim, vetëm 78 (65 civile dhe 13 penale)/ (ose 72.8%)  prej tyre ishin regjistruar në gjykatë. Ndërkohë nga 42 raste të raportuara për padi penale ndaj gazetarëve apo përfaqësuesve të medias, në kuadër të ushtrimit të detyrës së tyre gjatë viteve 2015-2021, rezulton se  vetëm 13 çështje (ose 31%)  ishin regjistruar si çështje penale në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore. Duke iu referuar vendimeve gjyqësore të gjykatave në katër nga këto çështje është vendosur deklarimi fajtor i të pandehurit dhe në dy raste është dhënë vendimi me burg, 1 vit për njërën çështje dhe 3 muaj për tjetrën.

Të dhënat e mbledhura nga procesi i intervistimit të strukturave lokale të organizatave të gazetarëve, tregojnë se gazetarët apo përfaqësuesit e medias nuk ngrenë padi në gjykatë kur u shkelet liria e tyre e shprehjes gjatë veprimtarisë së tyre nga zyrtarë, politikanë, biznesmen, qytetarë etj…Kjo për arsye të kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, pagesave për shërbime avokatore, tarifa për ngritjen e padisë apo statusi ndaj personave të cilëve ngrihet padia.

Praktikat e deritanishme për rastet kur janë paditur gazetarë apo përfaqësues të medias, shënojnë një statistikë shqetësuese. Nga 65 padi civile dhe 15 penale, gati 60% e tyre janë ngritur nga politikanë, biznesmen apo përfaqësues institucionesh të ndryshme.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të
Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri
për Ndryshim dhe Zhvillim (PSh). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së
Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PSh).

Related Posts

Leave a comment