Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gazment Bardhi del në fushatë me kandidatin e “Foltores” në Vaun e Dejës, kundër PD

-640-0-602c53cfc6146cd35f370eb6a1a98c11

Pavarësisht se është pjesë e Partisë Demokratike zyrtare dhe jo e Rithemelimit, deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka dalë kundër kandidaturës së Klomentina Drinit në Vaun e Dejës e cila garon nën siglën e PD-së. Së fundmi ai ka mbështetur haptas Zef Hilën kandidatin e koalicionit Meta-Berisha në Vaun e Dejës, duke e konsideruar si kandidat potencial për të marrë drejtimin e bashkisë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në një takim me strukturat në Vaun e Dejës, ku i pranishëm ishte edhe Zef Hila, Bardhi siguroi të pranishmit se qëllimi i tij është që nga 14 maji bashkia të mos jetë më nën drejtimin e qeverisë. Deputeti theksoi më tej se me Zef Hilën kishte diskutuar edhe në vitin 2021 për kandidimin e tij në bashkinë e Vaut të Dejës.

“Ajo që dua të siguroj nga kryetari deri tek anëtari fundit në këtë sallë është se unë jam në krahun tuaj. Ajlo që ju doni, është që në 14 maj, Tom Doshi në 14 maj të dorëzojë çelësat e bashkisë së Vaut të Dejës që e ka marrë pa të drejtë në vitin 2019. Jam i vetëdijshëm që kandidatura është më potencial që kur ka dalë. Madje me Zefin kemi diskutuar që në 2021-shin”- u shpreh ai.

Me këtë veprim, Bardhi shpreh haptas kundërshtimin e tij ndaj kandidaturave të Alibeajt në bashki të ndryshme. Kujtojmë se ai në një mbledhje të zhvilluar në 25 mars ku u diskutua për mënyrën sesi PD do të dalë në zgjedhje, ai kërkoi që të shpallen kandidatura vetëm për këshilltarë bashkiakë dhe jo për kryebashkiakë.

Këtë qëndrim Bardhi e ka theksuar edhe në këtë takim, ku u ka kërkuar të pranishmëve që të votojnë për listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë, duke e mos e përmendur kandidaten zyrtare të PD në këtë bashki, Klomentina Drinin.

“PD ka paraqitur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës, me gra e burra, djem e vajza që e duan Vaun e Dejës dhe qytetarët e tij. Lista kryesohet nga z. Gjon Marku, ish kryetar bashkie, një personalitet i zonës dhe administrator lokal me integritet dhe profesionalizëm”-shkruan Bardhi.

Në bashkinë e Vaut të Dejës, kandidatja zyrtare e PD-së është Kolmentina Drini, ndërsa përballë saj qëndrojnë edhe dy kandidatë të tjerë, Zef Hila i koalicionit Meta-Berisha dhe Kristian Shkreli i Partisë Socialiste.

Related Posts

Leave a comment