Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Elsa Lila shkroi mbrëmë historinë e suksesit të madh të radhës

-640-0-1698940255x385537147-874022887635671-2819844275591379947-n-375

Vetëm një fjalë mjafton për të përshkruar atë që ndodhi mbrëmë në Pallatin e Kongreseve: e jashtëzakonshme. Që në tingullin e parë e deri në fundin e tij koncerti “Finalmente Elsa” e elektrizoi sallën, publikun, artistët italianë të bandës muzikore, dirigjentin Enrico Melozzin e padiskutim dhe Elsa Lilën vetë.

Ndoshta sepse ishte koncerti i munguar, i prituri prej shumë vitesh. Ndoshta sepse ishte nostalgjia për të dëgjuar edhe një herë, të riorkestruara me mjeshtëri tejet profesionale, këngët përmes së cilave Lila ka bërë jo vetëm historinë e saj e të muzikës shqiptare por dhe të përjetimit të shqiptarëve, sidomos në herën e parë kur ajo u shfaq në skenën e madhe të festivalit të Sanremos. Ndoshta edhe sepse ajo mbetet artistja me klas, që po vazhdon të ruajë me çdo kusht muzikën e bukur, muzikën live që tingëllon pastër në veshin e çdokujt.

E kjo më shumë se gjatë koncertit u pa pas mbarimit të tij, kur me dhjetra e dhjetra adhurues prisnin radhën për ta takuar e për të marrë një autograf prej saj. Ndoshta edhe sepse ruan me fanatizëm dashurinë për kulturën, vargjet shqiptare (si ato të “Dremit liqeri” të Lasgush Poradecit që i ka ngjizur me muzikën e Moxartit) e për muzikën shqiptare, edhe atë tradicionale si “Qan lulja për lulen” apo “Margjelon”, të cilat i risjell në forma e skena të ndryshme italiane.

Ndoshta dhe sepse ka ditur të ruajë thjeshtësinë, mirënjohjen për bashkëpunëtorët e saj të hershëm, të cilët i përmendi gjatë gjithë koncertit (dedikimin më të ndjerë e pati për regjisorin Gjergj Xhuvani, që s’jeton më) ndërsa njërin prej tyre, Pirro Çakon e kishte të ftuarin e saj special, në skenë, për të përcjellë edhe një herë, pas shumë e shumë vitesh suksesin e “Diferenca je ti”, që emocionoi më së shumti vetë Pirro Çakon.

Të shumta mund të kenë qenë arsyet pse mbrëmë koncerti “Finalmente Elsa” rrodhi aq natyrshëm sa orët kaluan si të ishin minuta. Të gjitha arsyet bashkë bënë që ky eveniment muzikor, që i kishte munguar Tiranës, të dilte i jashtëzakonshëm.

Për të gjitha këto aryse Elsa Lila duhet të kthehet e lumtur në Romë, për të ardhur sërish, në Tiranën e saj më e motivuar se kurrë, për sfidën e radhës: festivalin e muzikës në RTSH, ku do të përfaqësohet me këngën “Mars”. Me këtë premtim e përcolli publikun mbrëmë, gjysma e të cilit nuk u largua pa marrë edhe një përqafim prej saj. Momente këto që ishin epilogu më i bukur i kësaj historie që e shkroi, përsëri, vetë ajo, Elsa Lila.

Related Posts

Leave a comment