Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Pas deklaratës së UGSH/ Këshilli Drejtues i RTSH injoron zv.drejtorin Martin Leka

Keshilli Drejtues i RTSH

Paraditen e të enjtes është mbledhur në takimin e rradhës Këshilli Drejtues (KD) i Radio Televizionit Publik shqiptar nën kryesimin e kryetarit Leka Bungo. Ndërkohë që zvendësdrejtori i Përgjithshëm, me atributin e drejtorit të larguar nga detyra katër muaj më parë, si pasojë e përfundimit të mandatit, i kishte adresur Këshillit një kërkesë për të autorizuar hapjen e dritës jeshile për “Ndryshime në strukturën organizative, ndryshime në librin e pagave”, etj., mësohet se kjo kërkesë është injoruar.

Burime të brendëshme të Këshillit i thanë “Arberia News” se  KD nuk e futi fare për shqyrtim kërkesën e zv. drejtorit Martin Leka,  kurse shqyrtoi vetëm disa çeshtje të programacionit, riformatimin e paketës dixhitale etj. Ka ndodhur kjo ndërsa po i njejti burim pohoi në konfidencë se shqyrtimi i kërkesës për ndryshimin e strukturës organizative etj., ishte injoruar pas deklaratës së Unionit të Gazetarëve Shqiptar , lidhur me paligjshmërinë e kompetencës së zvendësdrejtorit Leka për të ndërmarrë një hap të tillë.

” Publikimi i propozimeve të zëvendës-drejtorit Martin Leka për ndryshim strukture dhe librin e pagave janë thjesht një përdorim i pastër, mundësi e qartë për selektime dhe politika favorizuese ndaj individësh dhe kategorish, sipas preferencës individuale apo klienteliste.

UGSH i drejtohet Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe posaçërisht kryetarit, zotit Leka Bungo, ta ndalë procedurën e miratimit të vendimeve që ndryshojnë strukturën aktuale organizative të institucionit, të mos i shkaktojë kosto dhe fatura institucionit me lëvizje, shkurtime dhe emërime të cilat do të duhet të përballen me platformën e re të detyrueshme që duhet të sjellë Drejtori i ri i Përgjithshëm,” shkruhej ndër të tjera në deklaratën e Unionit të Gazetarëve ku theksohej gjithashtu se:

” Në ditët e ardhme, UGSH do të denoncojë shumë fakte dhe dokumenta abuzive që kanë lidhje me administratorët dhe menaxhuesit e RTSH-së. Ne vërrejmë se ky institucion në periudhat tranzite të  zgjedhjes së titullarit të saj shndërrohet në mundësi përfituese për emërime klienteliste, të porositura politikisht dhe me shërbimet e ndryshme brenda tij ka shkelje dhe përfitime që shkaktojnë kosto dhe lenë hapësira për korrupsion…”.

Sinjale mosdakortësie me marrjen në shqyrtim të kërkesës së zvendesdrejtorit të pashqitshëm Martin Leka, ka patur edhe nga OSBE-ja, e cila ka mbështetur reagimin e Unionit të Gazetarëve./ Arberia News.net

 

Related Posts

Leave a comment