Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Për çfarë i shërben ndryshimi i strukturës së RTSH zvendës-drejtorit Martin Leka?

rtsh

Që nga fillimi i muajit maj 2021, pra prej katër muajsh, kur Thoma Gëllçi la detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar, për arsye të përfundimit të mandatit, zvendësi i tij Martin Leka morri në dorë frenat e këtij institucioni publik, më i madhi mediatik i vendit.

Nga Arbër DALMATI –

Nuk është e para herë që Martin Leka gjendet në këtë funksion që, për shkak të mangësisë së një neni përcaktues në Ligjin “Për Mediat Audiovizive”, mbetet vakant sa herë largohet drejtori i Përgjithshëm. Sepse përveç nenit 105 pika 2 të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në RTSH”,  nuk ka një tjetër që të përcaktojë afatin kohor brenda të cilit Këshilli Drejtues duhet të emërojë drejtorin e ri, sikurse mungon dhe një nen që për këtë periudhë kohore ndërmjetëse të lerë në detyrë drejtorin e vjetër.

Duke përfituar prek kësaj “sallate” ligjore shqiptare përgjatë dhjetë viteve qenie në detyrën e zvendësit  Martin Leka, e ka parë veten në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së për disa vite. Kjo falë  zvarritjeve të Këshillit Drejtues në procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri, që deri më sot ka qenë atribut ekskluziv i forcave politike.

Periudhën më të gjatë të qënies zvendës me atribute drejtori të Përgjithshëm, Martin Leka, e ka patur në kapërcyellin e ikjes së Petrit Becit dhe sjelljen e Thoma Gëllçit, falë lojrave prapaskenike politike.

Kjo është dhe periudha më e errët e RTSH-së, e mbushur me përfolje për abuzime, për shitje vëndesh pune, korrupsion e afera me paratë e taksapaguesve me kontributet e të cilëve mbahet ky institucion që ndonëse thirret publik vijon të mbetet ende artileri në dorë të politikës.

Ndonëse e përfolur për gjithë sa më sipër, kjo periudhë e  qëndrimit më të gjatë të Martin Lekës në postin e zv.drejtorit, me atribute drejtori të përgjithshëm, ka  mbetur e errët për faktin se nuk është audituar nga asnjë strukturë kontrolli financiar, as edhe nga KLSH-ja që nuk të fal qoftë edhe për një “gjel” të marrë rryshfet. Arsye kjo që ka stimuluar përfoljen e pranisë së administrimit mbrapshtë, edhe përgjatë këtyre muajve kurrë largimi i Gëllçit delegoi mbetjen e institucionit sërish në dorë të Martin Lekës.

Bëma më e fundit e të cilit këtë herë është tentativa për të ndryshuar strukturën organizative të  institucionit, gjë që ka ndezur indinjatë dhe revoltë. Në kërkesën adresuar Këshillit Drejtues Martin Leka shkruan:

“Bazuar në nenin 105, pika 2 të Ligjit nr. 97/2013 “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe të nenin 23, pika 4 të Vendimit nr. 98/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, datë 22.12.2016 “Për miratimin e Statutit të RTSH”, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së, i propozon Këshillit Drejtues të miratoj disa ndryshime ne Librin e Pagave te Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorisë së Arkivës, Orkestrës Simfonike dhe Departamentit të Prodhimit, si dhe ne Strukturen Organizative te Drejtorise se Pergjithshme të RTSH-së për vitin 2021”.,

Në reagim të kësaj iniciative Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH) i është drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së duke i kërkuar t’a hedh poshtë inisiativën Leka pasi kemi të bëjmë me një “nonsens” që stimulon mundësi të qartë për selektime dhe politika favorizuese.

“Propozimet nga drejtuesi në tranzicion i institucionit për ndryshim të strukturës organizative të RTSH-së përbën një nonsens dhe karshillëk ndaj një të drejte morale dhe administruese që duhet të ketë Drejtori i Përgjithshëm i mandatuar sipas ligjit… Propozimet e zëvendës-drejtorit Martin Leka për ndryshim strukture dhe librin e pagave janë thjesht një përdorim i pastër, mundësi e qartë për selektime dhe politika favorizuese ndaj individësh dhe kategorish, sipas preferencës individuale apo klienteliste”, thekson ndër të tjera Unioni, duke zbuluar dhe thelbin e nxitimit të Martin Lekës për të ndërmarrë një të tillë inciciative që është jashtë kompetencave ligjore për një zvendësdrejtor. I cili edhe pse në rolin e drejtorit tranzitor, në veprimtarinë administrative mbetet me po të njejtat kompetenca që ka kur në krye është drejtori.

Kompetenca që nuk  përfshijnë as ndryshimin e strukturës administrative dhe as ndryshimin në librin e pagave, që e theksojmë mbeten atribute ekskluzive të  Drejtorit të Përgjithshëm për të realizur strategjinë për hatër të të cilës është përzgjedhur dhe i është besuar posti drejtues. Këtë  zvendësi i pashqitshëm që prej dhjetë vitesh, Martin Leka, besojmë që duhet ta dijë. Mirëpo pse e anashkalon dhe shpejton? Sepse, sikurse përmend UGSH, ndryshimet “…janë mundësi e qartë për selektime dhe politika favorizuese ndaj individësh dhe kategorish, sipas preferencës individuale apo klienteliste”.

Ndryshim i strukturës organizative është front i madh punësimesh, ai të jep dorë për shkurtime sipas preferencës personale, por edhe për të hapur vende të reja pune, që në përvojën e realitetit të hidhur shqiptar do të thotë sa më shumë “ndere” të shpërblyeshme.

©Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Related Posts

Leave a comment