Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

3 javë pas shkarkimit të Thoma Gëllçit, RTSH kërkon shtim privilegjesh: Mijëra euro për organet parazitare

1635952317_Screenshot3-1

Paraditen e 17 qershorit 2021, Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është mbledhur për të shqyrtuar një kërkesë të pazakontë. Kupola drejtuese e Radio Televizionit Shqiptar kërkonte dyfishimin e privilegjeve financiare dhe shtimin e strukturave të reja burokratike dhe parazitare. Kërkesa është firmosur nga kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo, në 8 qershor 2021, vetëm 3 javë pas konstituimit të këshillit të ri.

Si mos të mjaftonin shpërdorimet dhe abuzimet e gjithanshme në RTSH, të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport voluminoz, një staf i fryrë, nepotik dhe klientelist prej 900 punonjësish (ku gjysma paguhen me paratë publike pa bërë asgjë), emisione që nuk i sheh askush, gjithfarëlloj strukturash burokratike dhe klanore etj., Këshillit i ri Drejtues i RTSH, përmes një prej akteve të para të tij, ka kërkuar dyfishimin e shpërblimit mujor për vete dhe Martin Lekën, zëvendësdrejtor i RTSH-së.

Leka Bungo ka kërkuar dyfishimin e shpërblimit mujor për veten e tij nga 550 mijë lekë në muaj në 1.1 milionë lekë, pra rreth 1 mijë USD. Gjithashtu, është kërkuar dyfishimi i shpërblimit mujor për anëtarët e Këshillit Drejtues të TRSH, Ilir Keko, Gëzim Podgorica, Arlinda Reçi, Engjell Ndocaj, Milena Selimi, Genc Permeti, Dionis Papadhimitri dhe Thanas Goga nga 460 mijë lekë në 920 mijë lekë në muaj. Këshilli Drejtues i RTSH ka kërkuar barazimin e shpërblimit me pagën e anëtarëve të AMA, ndonëse anëtarët e AMA punojnë me kohë të plotë, ndërsa anëtarët Këshillit Drejtues të TRSH mblidhen dhe punojnë me kohë të pjesshme.
Jo vetëm kaq. Në vend që të zbatonte ligjin për të hapur vendin vakant për drejtorin e Përgjithshëm të RTSH, Leka Bungo ka kërkuar që të rritej paga e zv.drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Martin Leka, me 40 %, në formë honorari për punë jashtë orarit zyrtar si dhe për kontribute me ide në programacione për rritje shikueshmërie.

Krahas kësaj kërkese, në 22 qershor 2021, Zv/drejtori Martin Leka ka vendosur krijimin një bordi tjetër sipëror artistik me pagesë mujore sa pagesa e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH. Në këtë bord, Leka synon të përfshijë miqtë e tij, për të krijuar kështu edhe një tjetër strukturë klienteliste dhe parazitare në RTSH. Gjithashtu, Martin Leka, ka propozuar shtimin e Këshillit për Shikuesit dhe Dëgjuesit të RTSH, nga 19 që është aktualisht në 29 anëtarë, ndër të cilët 7 do jenë femra, gjoja për të balancuar barazinë gjinore.

Të gjitha këto lëvizje për interesa financiare personale janë ndërmarrë para operacionit të SPAK për arrestimin e ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi për një tender të dyshuar si abuziv me vlerë 1 miliard lekë, tender i cili është maja e ajsbergut në raport me abuzimet që ka konstatuar KLSH për periudhën janar 2017 deri në dhjetor 2019.

Qëndrimi i Kuvendit
Anëtarët e Komisionit të Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit, janë ndarë në dy kampe për shtimin e privilegjeve për kupolën e RTSH-së. Një pjesë e kanë konsideruar si të papranueshme dhe absurde kërkesat e Leka Bungos dhe Matrin Lekës për të rritur shpërblimin për veten e tyre, ndërsa pjesa tjetër si të drejtë dhe të pranueshme.

Në mbledhjen e datës 17 qershor 2021, ish deputeti Musa Ulqini, ndër të tjera ka pohuar se “Po sjell një shembull: përse këshilltarët bashkiakë me ligj marrin 10% të pagës së kryetarit të bashkisë. Këshilli bashkiak i kryeqytetit është një institucion shumë i rëndësishëm, jo sepse menaxhon 1 milion qytetarë…Unë mendoj që edhe nga pikëpamja etike, akti i parë i Këshillit të ri Drejtues nuk mund të jetë rritja e shpërblimit për veten, ndërkohë që ky këshill drejtues ka shumë detyra, ka shumë emergjenca dhe ka shumë gjëra, të cilat janë për t’u sjellë këtu, për t’u miratuar përpara kësaj gjëje. Sipas ligjit, akti i parë i Këshillit Drejtues është zgjedhja e nënkryetarit, nënkryetar i cili përfaqëson opozitën… E dyta, është absurde që kanë kaluar 40 ditë, edhe pse ka mbaruar mandati i drejtorit të Përgjithshëm, Këshilli Drejtues nuk e ka hapur vakancën…”.

Deputetja Vilma Bello ka kërkuar që të merret një mendim nga Ministria e Financave, duke shtuar se “edhe Komiteti Drejtues i RTSH-së të sjellë një argumentim më të detajuar, se cilat janë arsyet e vërteta të kërkesës së kësaj rritjeje, sepse, nëse argumentimi do të jetë i duhur, rritja mund të jetë më shumë se në masën 30%”.

Ish deputeti Erion Piciri ka pohuar se “Në kërkesën e tyre shoh që paga është diku te 462 mijë lekë të vjetër, shifër që korrespondon 1,5 herë më e lartë se rroga minimale në Shqipëri dhe shkon deri në 90% të rrogës mesatare, të atyre që punojnë me kohë të plotë. Z. Ulqini bëri krahasimin me Bashkinë e Tiranës, por unë do të bëj një krahasim tjetër, me rrogën e pedagogëve të universiteteve shtetërore, të cilët paguhen me orë. Ora e punës varion nga 4-12 mijë lekë të vjetër, ku mesatarja është diku te 9 mijë lekë të vjetër, pra, i bie që anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së, të paktën nëse barazohen me pedagogët, të investojnë rreth 60 orë në muaj. Nuk e kemi këtë të dhënë se sa herë mblidhet këshilli, por duke pasur parasysh edhe eficiencën e institucionit, ai është një institucion që nuk ka ndonjë rezonancë në shoqërinë shqiptare. Unë kam bërë disa kërkime për të parë se ku qëndron ky institucion me audiencën dhe kjo është një para e çuar dëm, sepse vetëm rreth 2-3% e publikut informohet dhe ndjek RTSH-në”.
Ndërkaq, deputetja Mirela Kumbaro, sot ministre e Turizmit, është shprehur se “Më lejoni që të shpreh, në njëfarë mënyre, paksa, reagimin dhe indinjatën time në lidhje me tonin përçmues që iu bë institucionit më të rëndësishëm të medies publike, që është Radiotelevizioni Shqiptar. Nuk mund ta pranoj një nënvlerësim të tillë për vetë Radiotelevizionin, i cili është televizioni që mbulon në masën 100% të gjithë territorin… Nuk mund ta pranoj…është një ndër asetet kombëtare më të rëndësishme që ne kemi dhe puna e atyre që kontribuojnë, qoftë në formatin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, qoftë në formatin e profesionistëve që punojnë, qoftë në formatin e administratës, të nënvleftësohet dhe të konsiderohet si harxhim dhe shpërdorim parash, aq më pak të matet në mënyrë të thjeshtëzuar dhe tepër të rëndomtë me 2-3 orë pune”.

Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i është drejtuar Ministrisë së Financave për të dhënë një mendim për kërkesat e Leka Bungës dhe Martin Lekës. Gjatë këtyre ditëve, përfaqësuesit e RTSH pritet të paraqiten në Komisionin e Mediave, gjatë diktimit të buxhetit për vitin 2022, ku pritet të marrë një përgjigje përfundimtare kërkesa për rritjen e shpërblimit dhe shtimin e anëtarëve dhe strukturave të reja./ Shqiptarja.com

Related Posts

Leave a comment