Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Marie Kraja” duhet të ketë gjithmonë zë, për të na ftuar dhe mbajtur në kulturën dhe botën e saj

277169497_10159754345394847_4103728432260508644_n
Nga Zefina Hasani
***
Nëse s’do të ishte emri puro shqiptar “Marie Kraja”, që shfaqej në copëzat e ledit të ndarë nëpër skenografi, mendja mund të të bënte rrengje, që vetja të të arratisej e të ndjehej sikur ishte diku në ndonjë prej teatrove të famshëm të Europës apo dhe botës.
Por ja që “Marie Kraja” të thërriste fort, për të të mbajtur aty, tek e vërteta që s’po ndodhte askund tjetër veçse në Tiranë, në sallën e re të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Marie Kraja” të thoshte në çdo minutë të atij festivali: Hapi sytë! Shiko që Europa dhe bota mbarë kanë zbarkuar këtu, me të talentuarit, artistët e rinj të muzikës operistike e me emra prestigjiozë, që drejtojnë e orientojnë këtë zhanër e kulturë të lartë në Opera Europa, në teatrot e mëdha të Italisë, Zvicërs, Anglisë, Sofjes, Hungarisë, Gjermanisë…
Edhe pas 18-të vjetësh, “Marie Kraja” e ka këtë fuqi, që të të mbushë shpirtin e mendjen, për një natë, me muzikën më hyjnore të Mozartit, Puccinit, Verdit, Bellini, Bizet, Rossinit, e Donizettit, e të të bëjë të ndjehesh qytetar europian, mu në qendër të Tiranës.
Që ta fusë Shqipërinë në hartën artistike të Europës e botës, që të shpalosë vlerat e kapacitetet e mëdha që ka ky vend i vogël, që të na kujtojë edhe neve vetë, se e kemi të hershme e të mbruajtur ndër vite këtë kulturë që s’duhet të humbasë e t’venitet, as në këto kohë që po e rrezikojnë pa pikë mundimi e fajësimi muzikën klasike, sepse s’i ka kurrë shanset të fitojë mijra e miliona klikime nëpër youtube e rrjete sociale…vazhdon të jetë që në krye të herës misioni i “Marie Krajës”, i artistes së madhe që erdhi nga Europa bashkë me Europën në vendin e saj, për të shenjuar historinë me talentin e saj e për t’u bërë, vite më pas emblemë e festivalit të parë dhe të vetëm operisitik ndërkombëtar në Shqipëri, ideuar e realizuar nga Zana Cela
Misioni vazhdon. Magjia gjithashtu, për aq kohë sa ndërsa ulesh në sallë për të ndjekur një prej tri netëve të festivalit, ndjen se mendja vazhdon të të bëjë ende rengje që vetja të të arratiset e të ndjehet sikur është diku në ndonjë prej teatrove të famshëm të Europës apo dhe botës…fiks si 18-të vjetë më parë kur realizimi i një festivali kaq të madh ndërkombëtar në Shqipëri, dukej utopi.
Sado vite të kalojnë “Marie Kraja” duhet të ketë gjithmonë zë për të na ftuar e mbajtur në kulturën e saj, në skenën e saj, në botën e saj ku gjithmonë do të ketë art të vërtetë, e artistë të vërtetë, që ndoshta s’i njohim dot nga instagrami apo youtube por nga festivali që na i sjell për tre netë në Tiranë. Këtë herë edhe nga Teatrit Nacional të Operas së Kievit, nga Ukraina, të cilës s’ka flakë lufte që t’ja djegë shpirtin artistik.

Related Posts

Leave a comment