Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gazeta KOHA nderohet me çmimin e parë – “Vangjush Gambeta”

20231110_113743-860x685

mimin “Vangjush Gambeta”, që secilin fundvit ndahet nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, e ka fituar gazetari i gazetës KOHA, Zenel Miftari, për raportime dhe hulumtime më të mira në shtypin e shkruar në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. Në ndërkohë, gazeta KOHA është vlerësuar si njëra ndër media më serioze në rajon

Tiranë, 10 nëntor – Zenel Miftari i gazetës KOHA (Shkup), Julian Hoxhaj nga Televizioni Syri (Tiranë), Sanie Jusufi nga KTV (Prishtinë) dhe Entela Bajramaj e Reporter.al (Tiranë) janë fituesit e edicionit të 15-të të Konkursit për gazetari “Vangjush Gambeta 2023” të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me seli në Tiranë. Ceremonia u organizua në Hotel Tirana International, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë politik, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si zyrtarë të kompanisë Japan Tobacco “International”, ndërsa mysafir nderi ishte presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Është nder që në përvjetorin e 17-të, gazeta KOHA merr edhe një vlerësim kaq të madh nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Vlerësimi i sotëm i gazetarëve shqiptarë nga i gjithë rajoni për gazetën tonë na jep kurajë të vazhdojmë të raportojmë tamam siç i ka hije një mediumi, sidomos në këtë kohë krize të gazetarisë gjithandej, e posaçërisht në tre shtetet tona. Faleminderit”, tha gjatë marrjes së çmimit gazetari i KOHA-s, Zenel Miftari.

Është ndarë edhe çmimi Reporteri i Vitit në Shqipëri, çmim të cilin e fitoi gazetari Osman Stafa, Çmimi i Karrierës këtë vit i takoi gazetarit Elez Biberaj, redaktorit përgjegjës për shumë vitesh në Zërin e Amerikës. Gjithashtu, çmimi i Karrierës iu nda edhe Augustin Palokajt nga Kosova, gazetar qe për shumë vitesh raporton ngjarjet nga Brukseli.

Advertisements

Në ndërkohë, çmimi për gazetari sportive “Ismet Bellova” , iu nda gazetarit të ndjerë nga Kosova, Milaim Krasniqi. Çmimin e pranoi vajza e gazetarit që ndërroi jetë vitin e kaluar.

Me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksander Çipa, tha se përmes kësaj ngjarje – bashkojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarëve, të cilët ballafaqojnë pikëpamjet e tyre dhe sfidat që përjetojnë pavarësisht njësisë administrative ku jetojnë.

“Përpiqemi të vlerësojmë punën dhe sakrificën e kolegëve tanë me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për punë, si dhe kultivimin e një gazetarie të mirëfilltë. Gjithashtu, do të doja të ndaja me ju arsyetim që prej shumë vitesh, ne kemi mundur si organizatë të ngremë një hierarki të vlerësimit brenda komunitetit profesional të gazetarëve dhe nuk kemi respektuar vetëm adresimin tek njësia republikë që i përkasim Shqipërisë. Por kemi mundur të shohim tregun dhe skenën mediatike shqiptare në tri shtetet ku jetojnë shqiptarët, si një mundësi të integrimit tonë të brendshëm, si një mundësi për të parë referenca profesionale të ndryshme dhe për të përcaktuar stacionet e ballafaqimit konkurrues me njëri tjetrin pavarësisht nga ndasitë dhe pavarësisht nga ajo që do ta quaja kohë humbja e politikës”, u shpreh Çipa.

Fituesit i përshëndeti edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërsa ka inkurajuar mediat të vazhdojnë me informimin dhe edukimin e drejtë të opinionit.

“Dua të shpreh vlerësimin maksimal për detyrën që keni. Misioni juaj për informim të drejtë është i vështirë ditët e sotme, por jo i pamundur. Çmimet e sotme tregojnë se gazetaria e mirëfilltë është gjallë dhe ende promovohet e kultivoheg. Prandaj, vlerësimet e sotme që i ndan UGSH tregojnë se si gazetarë e si media, keni besim të madh ne atë qe bëni – informimin e drejtë. Kjo kauzë e juaja kërkon njerëz profesionistë dhe unë ju inkurajoj që të vazhdoni kështu pasi puna juaj është demokracia dhe lehtësimi i jetesës për të gjithë ne – të tjerët”, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Ndryshe, për herë të parë, ceremonia e ndarjes së çmimeve ekonomike “Vangjush Gambeta” filloi në vitin 2009 dhe mbështetet financiarisht nga kompania “Japan Tobacco International” (JPI). Çmimi i gazetarisë “Vangjush Gambeta” është çmimi më i lartë që ndahet në Shqipëri dhe ky është viti i njëmbëdhjetë me radhë ku morën pjesë gazetarë ekonomik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Gazeta KOHA për të shtatën herë me radhë vlerësohet nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ndërsa redaksia e gazetës dhe portalit koha.mk u konsiderua si njëra nga mediat më me ndikim në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

Related Posts

Leave a comment