Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Thelbi i amnistisë “për emigrantët” i qeverisë Rama

rama-opinon-768x505

Kryeministri e di dhe vet që flet qesim kur përmend amnisti për emigrantët. E di që emigrantët shqiptarë nuk kanë bërë asnjë evazion në Shqipëri, edhe nëse kanë punuar në të zezë në vendet ku kanë emigruar. Ndaj Shqipëria nuk ka çfarë amniston për emigrantët…  

Klodian TOMORRI – 

Aty nga viti 2015, kur lançonte në seri aksionet e famshme kundër informalitetit, Edi Rama mblodhi në një takim të gjithë biznesmenët më të mëdhenj të vendit. Teksa kryeministri u fliste për luftën e qeverisë kundër evazionit fiskal, njërit prej sipërmarrësve të pranishëm i shpëtoi një shaka e vërtetë; – “Mos u lodh se evazorët më të mëdhenj të Shqipërisë i ke të gjithë këtu.” Në sallë shpërthyen të qeshurat, ndërsa sipërmarrësin, të cilit i shpëtoi fjalia, e përjashtuan disa vite nga takimet show të kryeministrit.

Më vonë, në vitin 2018 administrata tatimore pikasi një skemë të madhe mashtrimi me faturat e tvsh-së. Ky ishte hetimi, që zbuloi kompanitë fiktive që lëvizni rryshfetet e inceneratorëve. Një vit më pas prokuroria arrestoi me dhjetëra lavazhierë, kamerierë dhe shoferë si koka të evazionit. Por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës.

Fillimisht u mendua se skema kishte evaduar 40 milionë dollarë taksa, por ndërsa hetimet gjurmonin zinxhirin e transaksioneve me faturat fiktive rezultoi se skema ishte shumë më e madhe dhe në të nuk ishin të përfshirë vetëm shoferët dhe lavazhierët që arrestoi prokuroria. Në skemën e mashtrimit rezultuan brenda edhe pjesa më e madhe e kompanive që marrin tenderat e ndërtimit të veprave publike.

Në media u shpërnda një listë më emra kompanish të përfshira, që kryesohej nga kompanitë e inceneratorëve. Megjithatë lista ishte gjysmake. Në të mungonin të gjithë ndërtuesit e mëdhenj të rrugëve dhe ujësjellësave, të cilët pasi fitonin tenderat me çmimet e fryra u duheshin fatura për të justifikuar shpenzimet. Dhe për këtë u duhej të blinin fatura false nga kompanitë fiktive.

Me ligj, sot shumë nga biznesmenët më të mëdhenj të Shqipërisë duhet të ishin pas hekurave, edhe pse një pjesë e tyre janë viktima të sistemit korruptiv të tenderave publikë. Por prokuroria nuk guxoi. Ose nuk deshi. E ndonëse prokuroria mbylli sytë, kjo nuk i shpëton ata nga rrjeta e ligjit ku kanë ngecur. Vepra penale mbetet, ndaj për të dalë nga rrjeta e ligjit ka vetëm një zgjidhje; rrjeta duhet çarë. Për këtë duhet amnistia.

Por kjo nuk mund të bëhet haptazi. Që skema mos të mbajë shumë erë duhet kamufluar me emigrantët. Ky është një absurd i madh. Praktikisht emigrantët janë të amnistuar nga konventat që Shqipëria ka me shtetet e tjera për shmangien e taksimit të dyfishtë. Në secilën prej këtyre konventave ka një nen të posaçëm për shërbimet personale të varura. Ky nen thotë se të ardhurat nga puna taksohen në vendin e burimit. Pra emigrantët shqiptarë nuk kanë bërë asnjë evazion në Shqipëri, edhe nëse kanë punuar në të zezë në vendet ku kanë emigruar. Ndaj Shqipëria nuk ka çfarë amniston për emigrantët. Kryeministri e di dhe vet që flet qesim kur përmend amnisti për emigrantët.

E megjithatë, as kjo nuk mjafton. Që qeveria të lajë duart duhet që aministinë ta kërkojë populli. Për këtë u shpik Këshillimi Kombëtar. Tashmë amnistinë e ka kërkuar populli dhe qeveria do duhet t’i bindet vullnetit të sovranit.

Këta të tenderave janë kategoria e parë e emigrantëve që duhen çliruar. Kategoria e dytë janë kullaxhinjtë. Një pjesë e madhe e kullave, që kanë mbirë nëpër qytetet më të mëdha të Shqipërisë janë ndërtuar nga kompani me kapital 100 mijë lekë. Rrugës atyre u janë shtuar edhe aksionerë të çuditshëm me nga 2 apo 3 për qind, të cilët nuk financojnë para, por përfitojnë prona me magji. Formula e financimit është edhe më magjike. Lëndët e para merren pa para, veçanërisht betoni. Ndaj sot shumica e pronarëve e kompanive më të mëdhenj të betonit në Shqipëri janë të dypunësuar. Shpërndajnë beton në Shqipëri, dhe eksportojnë mall me vlerë të lartë të shtuar nëpër Europë. Ky është thelbi i amnistisë që do të bëjë qeveria. Në emër të popullit.

Related Posts

Leave a comment