Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

VETMIA – VETEM POEME PLEQERIE VALLE APO DHE…

293336540_7712476748827568_5785413542421517228_n
Josif Papagjoni
…Çapoi dhe hyri në turmë. Edhe pse u shkri me të, mbeti po vetvetja. Sa e çuditshme ishte vetmia?! Je tok me të tjerët e prapë vetëm. Çfarë bukurie! Vetmia, një domosdoshmëri. Por dhe një shlodhje. Me trup je brenda kësaj morie njerëzish që zhurmojnë, me mendje je vetëm, në heshtjen tënde. E qetësonin biseda të tilla të shpenguara, në qejf të vet, me vetveten, hiçin dhe absoluten. Ndoshta me Zotin, jo atë mjekerbardhin e Moisiut, por atë të Ainshtajnit. Ulu këtu te kjo shkallare e re! Je vetëm ti me detin, me llokoçitjen e valëve poshtë këmbëve të tua. E ç’të duhen të tjerët?! Ti do ikësh nesër, siç kanë ikur miliarda para teje, por këto llokoçitje do të jenë sa të shuhet ky rruzull…
Ç’ishte vetmia, mërzi apo lumturi, u përsiat ai. Mos vallë paqe, rehati, arrati nga njerëzit dhe meset sociale që të lodhnin? Bishtnim nga zhurma, dinamika, të panjohurit, ritmi urban, turma? Kishte qejf të përthellohej rreth kësaj teme. Dikur as që e mendonte, mirëpo viteve të mbrame ajo i rrotullohej cipës së trurit gjithnjë e më shpesh. Vetminë e sillte mosha, dalja jashtë rrethit të interesave, punës, por edhe vetë ky sistem pas vitit 1990 sikur po e institucionalizonte atë. Gjer dhe familja, gjiria, miku, shoku. Sherret kishin plasur ngado, edhe midis gruas dhe burrit, midis tyre dhe fëmijëve. Ishte një valle e madhe e kohës. Njerëzit nuk kishin më besim te tjetri. Dhe për t’i shpëtuar tjetrit, pëlqenin vetminë, vetëmbylleshin. Vetmija ishte dhe stërlodhja nga ethja e punës dhe ekzistencës, andaj njerëzit vraponin nga qytetet e tyre dhe vinin këtu, në qytetin e tij të lindjes për pak shlodhje, për pak vetmi. Vetmija, nisi të arsyetonte ai, ishte futja në zhguallin tënd, për të qenë prore vetvetja, me tërësej. Lodhja që vinte nga tjetërsimet e shumëfishta, që të “tjerët” t’i impononin me zor, i ngjante një teatri modern, një farë “living theatre” e Julian Back-ut, ku njerëz dhe aktorë bëheshin bashkë në një ndërëveprim thuajse të marrëzishëm. Ishte lodhur me këtë lloj “teatri jete”, tani i duhej pak pushim, pa lojën, pa “rolet” e shumëfishta, pa shtirjen sfilitëse e shpesh lëndonjëse, ku ai shtrëngohej të kërcente tangon e përzishme të ditës. S’e duronte dot më këtë “tango” të pështyrë. Ah, sa thellë po e shijonte aty, në qytetin e tij të lindjes, vetminë e tij! Në djall buzëqeshjet hipokrite, shtirjet, krejt rituali i një kinse respekti a dhembshurie! Donte të rrinte vetëm me puhinë e detit që ia freskonte fytyrën, gjoksin, këmbët, aty tek ajo shkallare e re e shëtitores.
Atij i pëlqente zhurma njerëzore. Por më shumë se ajo i pëlqente zëri i detit. Një pentagramë që askush nuk e shkruante dot. Ai zë e shlodhte. E dëgjonte plot ëndje dhe sakaq truri i tij, ashtu vetvetiu, i shtrohej përsiatjes, një filozofimi që e argëtonte. Dhe ia niste me pashë këndelljes që ia zbrazte trurin në katarsisin e habitshëm të paqes dhe shkrirjes me detin, me natën, me dritat, me qytetin, me errësirën, me flladin. Vetmia, pra, s’ishte një shtrigë, mendoi ai dhe syrin e mbante ngulur mbi vezullimin e dritave mbi det, as lodhje e mërzi pa fund nuk është. Përkundrazi, vetmia ishte edhe prehje, ekuilibër kozmik. Pikërisht, kur ishte me vetveten e kuptonte se ai qe një grimcë sa vetë bota, sa vetë kozmosi. Qyteti ishte me atë, por dhe jashtë tij. Vetmia ishte më e shenjtë se kotnia.
“E di ti zotni Josif se çfarë baj unë, – i pat thënë njëherë Adem Demaçi, i cili disa vjet rrinte e pushonte në Sarandë, – pasi darkoj, në mbramje ulem dhe meditoj. I heq krejt, krejt mendimet, të mira a të liga kjofshin. Dhe pak nga pak ndjej se po më ikën tranimi, se po kthjellem prore, se po lidhem me dikë në dikah, se gjithë çka ajo m’ka ngulfat ditën më teret natën. Asht energjia kozmike ajo ku na jemi pjesë. Dhe më ban pjesë. Duhet me komuniku me kët’ energji, zotni Josif. Atëbotë ndij se po çlirohem, e trupi m’kndellet krejt, e mendja m’bahet e lirë, e ndjehem bukuri. Provoje dhe do të më kujtosh. Bota dhe njeriu asht krejt NJË. Në trupin tonë hyjë e dalin energji. Unë burgun kështu e kam mund. Edhe mërzinë. Edhe frikën. Edhe izolimin. Të jesh i vetëm, me veten dhe për veten do të thotë të jesh i fortë, i paepun. Veç andrra e mban gjallë njeriu, zotni Josif…”
E kuptoi se Adem Demaçi ishte një përzierje midis niçeanit dhe hegelianit. Ëndrra?! Ndjeu buzët tek vizatuan mbi mish ironinë. Vërtet ka ëndrra, bac?! Apo s’është e gjitha veçse një gënjeshtër e bukur, ledhatuese?! “Ëndrra” është fjalë e madhe, poetike, bac. Jo, jeta nuk ia kishte njohur atë. Po pse ia kishte njohur Bacës, mbyllur afër 30 vjet në burgjet serbe si një Nelson Mandela, i paepur në ëndrrën e tij?! Mos ndoshta në vitet e mbrame unë e kam harruar përfare “ëndrrën”, bac?! Ndofta. Duhet të jesh njeri shumë i fortë bac, që t’i besosh ëndrrës si ty? Sa do doja ta besoja dhe unë, bac! Por ti ke qenë i veçantë, unë jo! Jam ndryshe nga ty, baca Adem. Energjinë e kozmosit e dua pranë detit. Dhe shkrifem. Dhe një hënë që prarohet sipër kokës sime. Dhe një e verdhë gati verbuese lart në kupolën qiellore, lyer me pakëz portokalli. Dhe fasha yjore si e pikturuar me një brushë të bardhë e të ndrojtur si pikturat e Muslim Mulliqit. Dhe një vargan resh që lundrojnë si karvan nëpër të, shpuar nga lëbyrja e saj. Të gjitha sikur ia bënin me sy. Ej, rri me ne, ç’do bësh në shtëpi? Ah!… Mjaft më me magjinë, me sugjestionin, i foli vetes. Rikthehu Odise në Itakë, arratia e mendjes është e lehtë, por toka është e rëndë. Rikthehu!

Related Posts

Leave a comment