Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PËRSE E “SHKARKUAT” KËSHILLIN ARTISTIK TË RADIOTELEVIZIONIT SHQIPTAR, ZOTI DREJTOR I PËRGJITHSHËM ENKELEJD JOTI?!

download (3)

Josif Papagjoni

Një lajm i “shprishur” ma prishi krejt ditën sot. Nga ana e drejtorit të përgjithshëm të RTSH, zotit Enkelejd Joti, na u komunikua se Këshilli Artistik i RTSH shkarkohej nga detyra. Fill në mendje më erdhën “firmat si vetëtima” (varg i Kadaresë për Enver Hoxhën) apo, ca më groteske, shkarkimi i marshallit Zhukov nga Hrushovi, kur ai ende ishte në avion. Epo mirë, u bë ç’u bë, ja, na shkarkuat. Po pse? Asnjë shpjegim. Asnjë “sepse” … Veprim meskin, tipologji bizantiniste, prej mendjeje sa dinake po aq dhe të vockël. Por unë e di një “sepse”. Sepse ne thamë të vërtetën. Ne thamë se s’mund të mbulohej diç e pavlerë, e zhbërë. Dhe është fjala pikërisht për dy filmat e rrëzuar prej nesh, “Prokurori” dhe “Vdekja le të presë”. Askund nuk të shkon mendja tjetër. Dhe nuk gjej veç kete “arsye të mosarsyes” .
Për veten time, në moshën që kam, nuk mund ta pranoj dot këtë fyerje prej jush, zoti Enkelejd! Po përse fyerje dhe jo një sjellje prej zyrtari korrekt? Edhe kjo ka një “sepse”. Shkurt lidhet, në mos u gabofsha, me një veprim të nxituar, për mua tinëzar (prej zyrtarësh aty e më pas prej jush), që Këshilli Artistik u shpreh kundër dy projekteve të sipërpërmendura të paraqitura për miratim, duke shkelur pikërisht procedurën e miratimit të tyre. Mos kemi shkelur vallë diku në “kallo”? Mos duhet një perde për të mbuluar diçka që nuk shkon? Sepse na u tha që filmi ishte miratuar dhe drejtoria e TVSH, pra drejtori, paska firmosur menjëherë kontratën, teksa kanë filluar xhirimet. Dhe nëse kontrata refuzohej, niste maratona e gjyqeve etj., etj. Po pse duhet kaluar kaq lehtë, kur filmi i dobët ka një kosto financiare, e cila paguhet pikërisht nga ne si taksapagues dhe, më së shumti, ka dhe një kosto morale, ideore, estetike, sepse hedh për shikim diçka të dobët. Në mbledhjen që bëmë me drejtorin e zyrës së projekteve zotin Mario Haxhiymeri, këshilli artistik e shfaqi mendimin e tij haptazi duke kërkuar me forcë që vendimi të anullohej dhe përgjegjësia të mbahej nga ata që e kanë përnjëmend. Ne gjykuam se skenari i filmit “Vdekja le të presë” sillte një dukuri thuajse të paqenë në jetën shqiptare, ku mungonte e vërteta, për çka ajo dukuri rrekej të paraqiste. Ishte diçka periferike, në mos inekzistente. Subjekti dukej një sajesë e sforcuar, e pakta një klishe e huajtur nga filmat e huaj, vende që dhe i kanë pasur këto grupe bendi pleqsh, ndërsa në Shqipëri faktikisht nuk kanë ekzistuar dhe as ekzistojnë. Pra fenomeni i trajtimit të moshës së tretë, i vëmendjes ndaj tyre etj., nuk vinte dot në mënyrën se si ishte dhënë, paçka se përmes ketij grup-bendi filmi kishte edhe një qasje kritike për të satirizuar fenomenin e shumëpërhapur të korrupsionit. Gjithsesi, edhe në këtë rast, argumenti vinte jo i lidhur mirë, qe i jashtëm dhe spekulativ. Vlerësonim se ai ishte tejet i hallakatur, me një strukturë të shpërndarë, fragmentariteti qe një e metë evidente, çka krijonte copëzime të pafunda. Mbi të gjitha, filmi nuk kishte një identitet social e psikologjik të shprehur mirëfilli shqiptar, por qe pjesë e klisheve dhe skemave filmike të kinematografive të njohura.

Dhe unë bëj pyetjen: Vallë bëmë gabim përse jua thamë zoti drejtor këto vërejtje? Gabim bëmë përse nuk pranuam që filmi nuk i plotësonte kushtet që të blihej dhe të xhirohej me paratë e TVSH, përkundrazi se ai ishte i dobët dhe pohonte gjëra të paqena të jetës shqiptare? Ju doni puthadorë apo njerëz që kanë një mendim të tyre, serioz dhe të përgjegjshëm.

Po e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me filmin tjetër artistik “Prokurori”, i cili kishte kaluar nën “shalët tona”, por së paku për të nuk ishte lidhur kontrata për xhirim, siç na u tha më vonë. Edhe ai kishte probleme me të vërtetën, edhe ai lëvizte nëpër artifice të shumta dhe na u duk pjesë e klisheve kinematografike të stërnjohura. Anipse ky film ishte, mbase, më social dhe më dramatik se i pari, megjithatë te vlerësimi juaj fitoi më i dobëti, “Vdekja le të presë”. Por pse, pse? Nuk dua ta them atë që më shkon nëpër mend, por një drejtor i një institucioni të lartë si RTSH duhet ta përfill këshillin Artistik si hallkë konsultative të tij, madje ta miklojë për të tërhequr një mendim profesional e të vyer, jo ta shpërfill, ca më keq ta fyej. Po sikur juve t’ju shkarkojnë nga detyra pa ju thënë “përse”, si do të ndjeheshit zoti Enkelejd? Ju jeni, fundja fundja i ri, ndërsa unë e dy kolegë të mi aty jemi më të vjetër dhe nuk e durojme fyerjen aq kollaj. Ja që kemi pak dinjitet, dreqi ta hajë!

Unë drejtorin e RTSH, pra zotin Enkelejd Joti, as e kam njohur më parë, veç në një mbledhje me ne, që ai e kërkoi vetë, më shumë për filmin “Prokurori” dhe ndonjë konflikt që ai kishte pasur me Leka Bungon, kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH. Di se ai ka qenë drejtor i QSUT dhe i Digit-Alb. Pra thjesht është një menazher, një ekonomist a jurist, një njeri që duhet të bëjë mirë llogaritë, por jo një njeri që di ç’është arti, televizioni, ca më pak stërhollimet estetike, shija, veshja filozofike e ideve, emocioneve në produktet artistike cilësore, falë të cilave TVSH konfirmnon ose jo vetveten përballë publikut të gjerë shqiptar. Unë ndjehem i fyer që ky njeri “pa emër” në kulturë dhe arte (të më ndjej që po ia them jo fort me etikë), të na “shkrijë” neve si një institucion tak-fak, pa na mbledhur së paku e të na shpjegonte “përse”. Përse pra, zoti Enkelejd, e bëtë këtë gjest fare të pahijshëm duke shpërfillur punën tonë, duke na fyer? Dhe më detyron të ta them ballaz, sy për sy, sepse ke fyer 5 personalitete të artit. Nuk po i mburr emrat e nderuar, por ju duhet ta keni për nder kur një personalitet i televizionit si Stefan Gajo a Lorenc Vangjeli, një regjisore si Driada Dervishi a muzikant si Oleg Arapi e shprehin hapur mendimin e tyre. Dhe e dini pse? Sepse kanë integritet moral dhe intelektual, sepse dinë të vlerësojnë estetikisht drejt e gjegjësisht shijeve të përparuara të kohës. Nuk do doja që TVSH të mbushej me çinovnikë gogolianë a Propishkinë shpinakërrusur, për t’i ngritur kindin e rendigotës shefit të madh. Jo, kurrë! Unë për vete dua një shpjegim nga Ju në faqet e gazetës a rrjetet sociale. E duam të gjithë ne anëtarët e Këshillit Artistik. Nëse ju na hiqni ne sot, se nuk ju shkuam pas midesë, dhe bini nesër pesë të tjerë, kjo është t’ia nisësh me bote, jo kujes por shpotisë; kjo tregon pastaj se ku e si mund të degradojë ky raport drejtues&administrator – mendim i specializuar&kualitet artistik, se sa e zvetënuar mund të bëhet kjo marrëdhënie. Ne nuk jemi çirakë, zotëri! Ne e kemi ngritur emrin tonë jo me katapultime, as me përkatësi partiake, por me talent, punë, ngulm e dashuri pa fund për artin, kulturën. Ja, prandaj ndjehem i fyer. Unë jam një profesor zotëri me mbi 30 libra për artet dhe letërsinë. Ju duhet të dini të respektoni: mua dhe anëtarët e tjerë. Duhet të jeni modest. Mos t’ju marrë mëria me vete. Ta doni të vërtetën dhe të luftoni për të, jo ta anashkaloni me veprime të tilla që aspak nuk ju nderojnë në detyrën që keni, përkundrazi ju bëjnë të vogël, frikacak dhe, më ndjeni, meskin përballë nesh!

Unë do doja që këtë kërkesë timen, dhe besoj të gjithë anëtarëve të Këshillit Artistik, ta shqyrtonte edhe Këshilli Drejtues i RTSH, sepse ai është një institucion i konceptuar po prej këtij Këshilli. Dhe në të mirë të cilësisë së prodhimeve televizive, por dhe të dinjitetit, do doja që media ta bënte të aksesueshme për sa më shumë lexues. TVSH është i publikut të gjerë, jo i një drejtori që sot është e nesër s’është. Sakaq, ne nuk e njohim kete akt a njoftim pa na u komunikuar zyrtarisht nga hallka zyrtare e RTSH prej te ciles jemi krijuar…

Related Posts

Leave a comment