Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

ISLAMIZMI – VETEM ANKTH HISTORIK I VJETER?

293336540_7712476748827568_5785413542421517228_n
Josif Papagjoni
Ne gojen e nje personazhi libri…
“Në shumicën e tyre, në origjinat e familjeve, së paku 100 vjet e kusur kur Shqipëria doli nga hiret e zjarreve të “kra-kra-kra”-së osmane më 1920, ne ishim myslimanë” – filloi të shtjellojë diçka nga historia e shqiptarëve ai. Kaq herë e kishte menduar, ishte përmbajtur dhe po kaq herë në fund thoshte se islamizimi i shqiptarëve qe një fatkeqësi. Mirëpo historia nuk mund të përsëritej, as të ndreqej e as të paragjykohej. Historia ishte ajo që ishte. Në fillim si të fantaksur, arkaikë, me “parfumet” turke, por jo pak dhe arabe, shqiptarët u bënë shërbyes të devotshëm të osmanëve me 39 kryevezirë të frikshëm dhe qindra e qindra pashallarë, bejlerë, serasqerë, që bënin kërdinë në popujt e tjerë, që nga Armenia, Libia, Jordania, Egjipti e gjer në Bosnjë, Rumeli, Greqi, Bullgari, Serbi e kudo, për llogari të sulltanëve. Por dhe te vetë populli i tyre ata bënin njësoj kërdi, e ktheu thikën nga vetja ai. Mburremi me kryevezirët turq me origjinë shqiptare. Po a punuan për Shqipërinë apo për Turqinë ata? Mburremi se Ali Pashë Tepelena ishte ky dhe ai, kështu e ashtu, preu kaq e aq koka, qe Asllani i perandorisë, por nuk e themi ende troç se ai ishte një vrasës. Na humbi përfundimisht Çamërinë, na humbi 7 fshatrat e Sulit dhe suliotët trima, shfryu me indinjatë ai, na humbi Pargën, Prevezën, sepse ishte turkoshak, një mizor, vrau me mijëra shqiptarë për hesapin e Turqisë. Vetëm në Bregdet vrau rreth 6 mijë vetë në pabesi, ditën e Pashkës së Gushtit, erdhi tinëzisht nga Korfuzi përmes francezëve të blerë nga qeset e majme të tij dhe u ra luftëtarëve në shpinë. 14 pirgje me koka bëri, për t’u futur dridhmën njerëzve, siç edhe ua futi. E dogji Shën Vasilin, e quajtur nga akademiku francez Pukëvil, si “qytezë e lulëzuar”. Tre mijë vetë i theri me thika aty, i dogji kishat e fshatrave të Bregut, manastiret. Cili ishte atdhetarizmi i tij? Cila ishte vetëdija kombëtare e tij? Hë pra, cila?!…
Përherë e kaplonte zemërimi kur mendonte mburrjet e pamerituara që folklori i korruptuar i realizmit socialist, gjer dhe studimet shkencore, kalonin në paradokse dhe të pavërteta teksa e çonin lundrën e tyre në ujëra të turbullta: nga mburrjet nacionaliste për të gjetur heroin e munguar, te një kriminel e mizor. Në ca libra që dilnin nga dyert “akademike” ky gjakshprishur i Arbrit dhe Kaonisë, kthehej nga një despot dinak i grabitjeve, robërve dhe parave të zhvatura, në fytyrën e prijësit kombëtar dhe antiosmanit. Ndalu pak kalemxhi, i foli vetes, mos krijo legjenda atdhetare për jo “atdhetarët”! Sa herë i hynte kësaj teme i ngriheshin nervat big dhe donte të grindej. Por më pas i thërriste arsyes së ftohtë: Ti nuk je historian zotëri, ti ndjen dhe gjykon si një bregas që ky pasha osman e dogji fshatin e gjyshërve të tu dhe i vrau burrat me tradhti. Ca më shumë ti gjykon si një i krishterë nga origjina e familjes, ndaj dhe kujtesat e popullit të atyre fshatrave i ke brenda vetes, me gjithë ngjethjen dhe tmerrin, ardhur nga rrëfimet e gjysh-stërgjyshërve. Sepse, në fund të fundit, ishin këta rebelë myslimanë, këta pashallarë e bejlerë, që e kishin udhëhequr më pas popullin e tyre kundër Portës. Eh sa gjak kishin derdhur ata! Edhe ky pasha e vezir osman me emrin Ali diç kishte bërë. Përballë vatanit, tokës, njerëzve dhe lirisë nuk ishte feja myslimane ajo që vendoste. Ishte diçka shumë më e shenjtë, më e thellë, më e qëndrueshme, e gjithëkohëshme: qenia kombëtare. Shqiptaria. Mos shko më tutje kësaj hullie se do gabosh, i foli vetes ai. Por idenë se për fatalitet kombëtar feja te shqiptarët kishte ardhur nga osmanët, këtë po, do ta pohonte me forcë. Përmes pushtimit, dhunës, sistemit të taksimit të diferencuar, korruptimit të elitës politike, ofrimit të posteve në ushtri, administratë etj., elita politike e vendit e para e më pas gjithë të tjerët, “kopeja sociale”, e pranuan islamin si fenë e tyre. E pranuan duke e modifikuar në pjesën e vrazhdë dhe intolerante të saj. E bënë një islam shqiptar.
– Varja!… – e braktisi këtë ide ai. Ishte pikërisht ai proturqizëm që e kishte ndarë kombin në 4 pjesë, 4 vilajete, nga Preveza në Nish e Ulqin. Dhe pastaj e bënë copë-copë, me hartën si të brejtur nga minjtë, ca nga orekset e fqinjëve të mbrojtur nga ushtritë ruse dhe ca nga kufijtë e “Shqipërisë Londineze”, që e rrudhën më keq hapësirën e shtetit të porsashpallur shqiptar nga plaku i urtë i Vlorës më 1912. Ku ishe, hiçgjëkundi, i thoshin kësaj fjale. Shqipëria qe përgjakur pikërisht nga ajo hidhësirë e dikurshme prej shërbëtorësh ndaj perandorisë, nga ajo tradhti që kishin bërë shekujve dhe harresës së “Motit të Madh” të Gjergj Kastriotit. Më shumë se 70% e popullsisë ishte konvertuar. Madje, myslimani quhej ashiqare “turk” dhe e kishte për nder, ndërsa të krishterët e mbetur quheshin “kaur”, pra të pabesë. Çfarë paradoksi, ai i besës bëhej i pabesë. U zgjuam vonë si komb, psherëtiu ai, kur Rusi iu afrua portave të Stambollit dhe Turqia vrapoi të nënshkruante kushtet e rënda të paqes me traktatin e Shën Stefanit. Edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit qe ngritur nga shqiptarët myslimanë me 300 delegatët e saj myslimanë dhe 47 bejlerët osmanë si nismëtarë, pa asnjë të krishterë brenda, madje të refuzuar prej tyre nga mosbesimi që kishin për flirtet me Portën e Lartë. Kjo ia çorodiste mendjen. Por ja kishte dalë një djalë nga dera e Frashëllinjëve, Abdyli, që i kish dhënë prirjen “gjenetike” asaj Lidhjeje, qenësinë kombëtare. “Vajte te Bismarku brenda, – i këndoi populli – U unje në skami… shkrive një barrë flori”.
Trojet shqiptare të të katër vilajeteve u kafshuan nga fqinjët, Evropa ishte një sekt i krishterë, hyri ai te një mendim politik që rrallë shprehej hapur publikisht, kamuflohej me idetë dhe qëndrimet e sotme sekulariste, kozmopolite. Nëpër simpoziume ky qe një terren i rrëshqitshëm, askush nuk e pranonte. Evropa nuk e harronte devotshmërinë e shqiptarëve ndaj Portës dhe konvertimin e tyre në myslimanë duke tradhtuar fenë e të parëve, pra duke u larguar nga “rrënja”, prandaj dhe nuk e ndihmoi me zemër faktorin politik të tyre. Barra e rëndë e këtij konvertimi peshonte gjer në ditët e fundit, ani pse mendësitë kishin ndryshuar dhe situatat qenë krejt të tjera.
“Ne e bartëm mbi shpinë këtë peshë turpi e çpersonalizimi! – i iku paksa historisë ai dhe erdhi rishtazi në pjesën e butë, lëndonjëse të çështjes. – Gati na u thyen gjunjët, por gjithsesi ne ecëm. Me zor, por ecëm. Qenë fuqitë e mëdha që na dhanë dorën, sepse vetë mund të ishim të shpërndarë sot në hapësira shtetesh e kombesh të tjerë. Balta ku kishim rënë qe tepër ngjitëse. Batak. Austro-Hungaria ishte projektuesja e pavarësisë sonë. Më pas me ripërtëritjen dhe ecurinë e kombit nisëm të hedhim hapa andej nga kishin drejtuar gishtin rilindësit tanë, i madhi Naim beu, pra drejt LIND nga PERENDON. Dhe nisëm të rimodelohemi pak nga pak, të përqafojmë kulturën evropiane, madje nuset dhe vashat tona ia nisën të kërcenin edhe “allafranga”, burrë e grua, në supet e njëri-tjetrit, siç bëri e para Sarah Blloshmi në fillim të viteve ’20 të shekullit që shkoi. Sarah ishte gjithsesi një nuse myslimane. I la syshqyer konsujt evropianë, jo thjesht nga bukuria, por nga guximi. Si mund të kërcente allafrënga një grua myslimane?! Dhe gjithë poturret, tumanet, dimitë u tërbuan: “Ç’ishte kjo rospie që hidhte valle në mexhlis si çingiet e harremit, me shalët dhe surratin jashtë, lakuriq, mish më mish me burrat e botës? Harram, harram, harram!…”
Evropa po vinte. Kujtesa kombëtare e qytetërimit të dikurshëm të peshkopatave shqiptare filloi të belbëzonte gjithsesi. Papo gratë e vajzat i hoqën ferexhetë, i përzunë poturet turke, qylafët, e filluan të veshin pantallona, kostume dopiopetë, kapele “republikë”, kasketa a bereta franceze, fustane deri në gjunjë që nderonin bukurinë dhe erotizmin e femrës etj. Gjithë ajo zgjyrë historike, ardhur nga saraçenët, jeniçerët, mongolët dhe aziatikët, diçka iku. Dhe prej mbivendosjes lindore këta 500 vjet, ngjyrat e dikurshme po dilnin mbi syprinë. Ishte si ajo e çara e parë e qiellit të mynzyrshëm, mbushur me re të zeza, tek hynte filli i hollë i dritës dhe i kaltërsisë tej, sipër. Dhe mendja rrëmbehej prej andej për të parë më tutje: Ç’kishte vallë pas atij qielli të kaltër, po pas asaj drite?
Eh!… Ai e çmonte fenë më së shumti si qytetërim, thënë më drejtë, e sublimuar në qytetërim, në zakone, në sjellje dhe në gjeste sociale. Ato (fetë), në gjendjet e tyre të fundme, i dukeshin disi të zhvendosura në kohë e në progres (së paku si praktika e rituale), paçka se njeriu e kishte zemrën të mbushur me ankthe, dilema, dyshime, frikëra. Fondamentale sipas tij ishte feja në vetvete, jo rituali. Rituali përshtatet dhe shkrihet në modelin e qytetërimit ku njeriu jeton apo aspiron, në mendësinë dhe gjestin social. T’i thoshnin atij që të pranonte disa rituale primitive, sidomos ato që vinin nga “arkaik-stanet” e shkretëtirave arabe, burrat veç e gratë veç, burrat me surratet ashiqare në diell ndërsa gratë e mbuluara kokë e këmbë, bah, këtë s’e qaste dot. Paçka se rituali ishte pjesë e shpërfaqjes së devotshmërisë fetare dhe sugjestionit kolektiv, në rrjedhën e kohës shoqëria e latonte dhe e përshtaste atë me nivelin e qyterërimit që ajo kishte arritur, ndërsa shumë të tjera i estetizonte, i modifikonte, i bënte më komode, më të përshtatshme etj. S’ishte vendi të fliste për disa syresh, qofshin myslimane, qofshin të krishtera. S’e pranonte dot të ulej në gjunjë me kokën e rrasur në dhe´, diku në një shesh publik, ngjitur bythë më bythë pas tjetrit, sikundër nuk e lëpinte dot lugën e priftit, ku kishin vënë buzët qindra e qindra të tjerë dhe ku gëlonin miliarda mikrobe, viruse. Nga gjërat që e kishin habitur për guximin e mbretit Zog në fillimet e tij ishte heqja e ferexheve nga fytyrat e grave (arkapiat, burkat) dhe ndalimi i gjunjëzimit në tokë me bythën lart të burrave. Jo, nuk ishte dinjitoze për shqiptarin, kishte thënë Mbreti. Burrat myslimanë duhet të falen në këmbë, jo gjunjazi. Ai vetë ishte nga familje myslimane, por kishte zgjedhur për grua një katolike. Ishte një akrobat në raportet e brishta mes bashkësive e vëllazërive fetare në vend. I dha karakter të thekur sekularist shkollës dhe shtetit. Ruajti traditat e mira edhe në përfaqësimin qeveritar të besimeve.
– A mund të modifikohet rituali i lutjes? – i bëri një pyetje sfidante vetes ai. Sipas tij, të gjitha besimet fetare në Shqipëri kishin rituale shpesh të rënda. Feja tretet në mendje, në shpirt, jo në gjest, në ritual, mendoi ai. Eh, shfryu, duheshin vite e vite të tejkaloheshin…

Related Posts

Leave a comment